Vendosni fjalën kyçe....

Publikohet draft-statuti për Asociacionin që Rama u dërgoi Macronit dhe Scholzit


Gjashtë muaj më parë, pikërisht në kohën kur Qeveria Kurti ishte në kulmin e përplasjeve me Perëndimin, për shkak se nuk po përmbushte kërkesat e tyre për deeskalim në Veri, Edi Rama nuk po linte pa e shfaqur protagonizmin e tij në raport me zhvillimet.

Shefi i qeverisë shqiptare  më 8 qershor i kishte ftuar mediat për t’ua bërë me dije një lajm mjaft befasues – kishte njoftuar se një ditë më parë dy vendeve Francës dhe Gjermanisë që e kishin prezantuar planin për marrëveshjen Kosovë -Serbi, ua kishte dërguar një draft statut të Asociacionit, obligim që Kosova deri atëherë s’po e përmbushte.

 “Dje  (7 qershor) i kam përcjellë presidentit Macron dhe Scholz një draft të Asociacionit për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charles Michelin dhe palën amerikane” kishte thënë Rama para gazetarëve.

“Është një draft punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë prej kohësh” kishte shtuar ai.

Dokumenti që ka dorëzuar Kryeministri shqiptar ka arritur të mbetet konfidencial që prej se është bërë e ditur se është dorëzuar në Paris e Berlin.

Për shkak të ngërçit në zbatimin e marrëveshjes bazike dhe aneksit të Ohrit përfshirë edhe ngjarjet në Banjskë, Perëndimi më 21 tetor ua ka sjellë një draft statut të Asociacionit palëve gjatë vizitave të emisarëve në Kosovë e Serbi.

Gazeta Express ka publikuar draftin e përkthyer që sipas tyre ka qenë në gjuhë angleze.

Siç theksohet, draftstatuti është në përputhje me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë të Parimeve për Rregullimin e Normalizimit të Marrëdhënieve, me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, me Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe me Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura dhe se “qeveria e miraton atë pa asnjë parakusht”, derisa e demonstron gatishmërinë për ta zbatuar Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Çfarë përmban Draft -Statuti?

Neni 7 pika 1 thotë se  Asociacioni e kryen aktivitetin e vet duke u bazuar në Kushtetutën dhe në ligjet e zbatueshme, në pikën 2 thuhet se  trupat e Asociacionit do t’i respektojnë plotësisht të dyja gjuhët zyrtare, serbishten dhe shqipen, ndërsa në pikën 3 thuhet se Asociacioni do të jetë i liruar nga detyrimet dhe taksat mbi bazën e njëjtë si komunat pjesëmarrëse.

Në nenin 28 të statutit flitet për trupat e Asociacionit i cili do të ketë Kuvend të Asociacionit, President, Nënpresident,  Këshilli, Bord, Zyrë të Apelit dhe e Ankesave e Asociacionit/Bashkësisë. Në nenet në vijim përshkruhen në detaje kompetencat e secilit trup.

Në nenin 17 ku theksohen detyrat e deleguara -autorizimet e posaçme thuhet se Asociacioni do të veprojë si një një Agjenci e Specializuar nën kompetencat e Zyrës së Kryeministrit.

Në nenin 18 thuhet se Asociacioni do të themelojë një trup të përbashkët që do të ketë  do të ketë katër departamente

Departamenti për Zhvillim Ekonomik.

Departamenti për Arsim.

Departamenti për Shërbime të Kujdesit Shëndetësor.

Departamenti për Planifikim Urban dhe Rural.

 Asociacioni do ta ketë buxhetin e vet, i cili do të administrohet në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies, dhe dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik.

Cilat janë marrëdhëniet e Asociacionit me autoritetet qendrore?

Në pikën 1 thuhet se Asociacioni do të angazhohet me autoritetet qendrore të Kosovës duke u mbështetur në bashkëpunimin e përbashkët dhe në ndarjen e të dhënave në frymën e promovimit të demokracisë dhe multietnicitetit dhe në vijë me sistemin ligjor të Kosovës.

Sipas nenit 26, pika 1 “Me anë të Nenit 79 të Kushtetutës, Asociacioni nuk është palë e autorizuar për të propozuar drejtpërdrejt legjislacion të ri.

“Megjithatë, në mirëbesim, Zyra e Kryeministrit do të punojë me Asociacionin për t’i akomoduar interesat e nismave të tilla” thuhet në këtë nen.

Neni 25 flet për raportin e Asociacionit me Policinë e Kosovës. Pika 1 e këtij thotë se Komandanti i policisë në Veri zgjidhet nga propozimet e kryetarëve të katër komunave.

“1. Komandanti i Komandës Rajonale të Policisë së Kosovës që i mbulon katër komunat veriore (Severna Mitrovica/Mitrovicë e Veriut, Zvecan/Zveçan, Leposavic/Leposaviq dhe Zubin Potok) përzgjidhet nga një listë e nominimeve të paraqitur nga Asociacioni.

  1. Kryetarët e këtyre komunave e hartojnë listën e nominimeve” thotë ky nen.

Neni 39 i draft statutit përshkruan fushëvperimin e Kryeministrit në raport me Asociacionin.

Në pikën 2 thuhet “Për ta siguruar pajtueshmërinë me Kushtetutën, ky Statut dhe ligjet e zbatueshme përkatëse, të gjitha Rregulloret e Posaçme dhe Vendimet Zbatuese do të kalojnë nëpër një shqyrtim administrativ nga Zyra e Kryeministrit. Procesi i shqyrtimit administrativ ndodh brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve kalendarike pas dorëzimit të të dhënave nga Asociacioni. Vetëm pas një shqyrtimi pozitiv, këto vendime mund të zbatohen”

 Tutje theksohet se në rast të kontesteve mes dy palëve fjalën e fundit do të thotë Gjykata Kushtetuese.

Me statutin e hartuar nga Edi Rama Asociacioni ka kompetenca të plota “që t’i menaxhojë plotësisht institucionet ekzistuese të arsimit dhe të kujdesit shëndetësor të themeluara e të financuara nga Republika e Serbisë” deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“ “Rrjeti Serb i Arsimit” do ta ketë të drejtën për të lëshuar diploma të dyfishta. Dizajni i diplomës (diplomës së Kosovës) të dhënë nga “Rrjeti Serb i Arsimit”, me anë të ligjeve të zbatueshme, do të rregullohet me një marrëveshje të ndarë mes ofruesit dhe autoriteteve kompetente. Instituti themelues në Republikën e Serbisë do të lëshojë një diplomë dublikatë (diploma serbe). Vendi i lëshimit të diplomës dublikatë është qyteti (në Republikën e Serbisë) ku ndodhen zyrat kryesore. Qeveria e Kosovës do ta trajtojë diplomën dublikatë si diplomë të huaj të vlefshme” theksohet në këtë nen.

Sipas statutit, komunat (me shumicë serbe) që duan të bëhen anëtare themeluese të  Asociacionit,  jo më vonë se 7 ditë e njoftojnë me shkrim Kryeministrin e Kosovës për këtë qëllim.

Sipas nenit 6 pika 2, “Asociacioni është një Entitet i Posaçëm Ligjor i së Drejtës Publike, i themeluar me anë të Lex Specialis, “Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë të Parimeve që e Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve””

Asociacionit ka të drejtë të paditë dhe të paditet, ka të drejtë të ketë në pronësi prona të luajtshme dhe të paluajtshme, të ketë në bashkëpronësi entitete që ofrojnë shërbime lokale brenda fushëveprimit të Asociacionit, të bëjë kontrata, përfshirë kontratat e punësimit dhe të drejta të tjera.

Neni 10 thotë se Asociacioni do t’i ketë simbolet e veta zyrtare, përfshirë një stemë dhe një flamur në përputhje me ligjet e zbatueshme.

“ Dizajni i këtyre simboleve duhet t’i pasqyrojë parimet e gjithë përfshirjes dhe respektin për të gjitha komunitetet etnike, fetare e të tjera” thuhet në pikën 2 të nenit 10.