Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta regjisori i njohur i filmave shqiptarë, Vladimir Prifti


Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare regjisori i njohur i filmave shqiptarë, Vladimir Prifti. Lajmin e ka bërë të ditur aktori Mevlan Shanaj me anë të një postimi në Facebook.

“Lamtumirë VLADIMIR PRIFTI ! Sapo më lajmëruan për ikjen e regjisorit të filmave: Udha e shkronjave, Dhe vjen një ditë, Flutura në kabinën time, Kush vdes në këmbë, Era e ngrohtë e thellësive etj! Sot ekranit shqiptar i ka ikur , regjisori i shquar , njeriu me humor dhe me pasion për artin! Ngushëllime familjes! Kur folëm herën e fundit ishe optimist o Ladi! E lamë që së shpejti të shiheshim te kafja si çdo ditë! Lamtumirë! Filmat e tu janë një pasuri kombëtare! Emri yt do mbetet i përjetshëm  për mes veprës tënde”, shkruan Shanaj ne Facebook.

Kinematografia shqiptare në zi!

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi se kinematografia shqiptare humbi një tjetër emër të madh.

“Sot kinematografia shqiptare humbi një tjetër emër të madh! Regjisori i filmave të paharrueshëm “Udha e shkronjave”, “Kush vdes në këmbë”, “Flutura në kabinën time” e shumë të tjerëve, Vladimir Prifti iu shtua tempullit të përjetësisë! Regjisor i analizës psikologjike, i gdhendjes së karaktereve, që iu largua klisheve të kohës, Prifti ka lënë pas një shkollë për filmin shqiptar. U prehsh në paqe mjeshtër!”, shkruan Margariti në Facebook.