Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri australian: Zjarret mund të vazhdojnë për muaj me radhë


Kryeministri Australian Scott Morrison ka paralajmëruar se zjarret shkatërruese në Australi mund të vazhdojnë për muaj me radhë.

Të paktën 24 njerëz kanë vdekur që kur filluan zjarret në shtator, ndërsa cilësia e ajrit në kryeqytetin Australian, Canberra, u vlerësua këtë fundjavë si më e keqja në botë.

Siç citon BBC, Morrison ka njoftuar krijimin e një agjensie shërimi për të ndihmuar ata që kanë humbur shtëpitë dhe bizneset nga zjarret. Ai është përballur me kritika të ashpra lidhur me shpejtësinë e reagimit të tij ndaj krizës.

Fundjava shënoi disa nga ditët më të këqija deri më tani të kësaj krize, me qindra prona të tjera të shkatërruara.

Kryeministri Morrison të shtunën bëri thirrjen më të madhe ushtarake në historinë e fundit të vendit, duke mobilizuar deri në 3,000 rezervistë për të ndihmuar zjarrfikësit e rraskapitur vullnetarë.

Si një indikim për rrugën e gjatë përpara deri në shërimin e plotë të situatës, Morrison në një deklaratë për mediat paralajmëroi se zjarret mund të digjen për shumë muaj, Agjensia për Rimëkëmbje e sapokrijuar për gjendjen e jashtëzakonshme në Australi do të ndihmojë në shuarjen e zjarreve dhe rimëkëmbjen e vendit, duke filluar nga rindërtimi i infrastrukturës deri në sigurimin e mbështetjes së shëndetit mendor.


Komediania australiane Celeste Barber mblodhi të premten më shumë se 20 milion dollarë në vetëm 48 orë nga donacionet e bëra. Anëtarët e familjes së saj u evakuuan nga qyteti i Edenit në Uellsin e Ri Jugor, ku zyrtarët u kërkuan banorëve të largoheshin menjëherë dhe të shkonin drejt veriut nëse nuk kishin një plan si të reagonin ndaj zjarreve. Shumë figura të famshme ndërkombëtare kanë kontribuar në mbledhjen e fondeve për rimëkëmbjen e Australisë.

Gati 200 vatra zjarresh janë ende duke u djegur në të gjithë vendin. Më shumë se 1200 shtëpi janë shkatërruar dhe miliona hektarë tokë janë djegur.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *