Vendosni fjalën kyçe....

Stuhia “Ciaran” godet Evropën veriperëndimore


Gjatë 24 orëve të fundit, shumë vende evropiane janë vënë në alarm të kuq pasi stuhia “Ciaran” po përparon në rajone të ndryshme, duke përfshirë gjithçka në rrugën e saj dhe ekspertët e “pagëzojnë” fenomenin si “bombë meteorologjike”.

Bëhet me dije se gjashtë persona kanë vdekur nga rrëzimi i pemëve, një shofer kamioni në automjetin e tij në rajonin Aisne të Francës, një burrë në qytetin holandez Venray, një grua në qendër të Madridit, një person në Gjermani dhe dy persona të tjerë në Belgjikë, sipas raporteve të policisë.

Në shumë zona të Italisë, Britanisë, Francës dhe Holandës, erërat po fryjnë rreth 200 km, shirat e dendur kanë kthyer disa rrugë në lumenj duke shkaktuar probleme serioze në rrjetin hekurudhor dhe ajror rrugor.

Stuhia Ciaran trokiti fillimisht në Itali duke shkaktuar dëme të rënda materiale dhe më pas goditi pjesë të Britanisë dhe Francës. Në Paris përurimi i Kullës Eifel nuk u bë sot, siç ishte planifikuar, kjo për shkak të kushteve atmosferike.

Erërat e forta dhe shirat e dendur goditën dje Italinë me përmbytje në qendër të Milanos dhe tejmbushje të liqenit të Komos, një destinacion popullor turistik.

Deti doli në rrugët e qytetit Penmarc në Francën veriperëndimore

Forcat e mbrojtjes civile ngritën diga në brigje dhe vazhduan me pompimin masiv të ujit. Sevezzo, një lumë që përshkon komunat e Como, Monza dhe Milano, gjithashtu u vërshua, sipas agjencisë italiane të mbrojtjes civile.

Pjesë të Milanos u bënë të paarritshme, ndërsa postimet e mediave sociale treguan se uji derdhej në stacionet e metrosë dhe këmbësorët binin ose kapeshin në shtylla gjatë rrëmbimeve të forta të erës. Pardje shërbimi i mbrojtjes civile italiane vuri në alarm të kuq të gjitha zonat e rajonit Veneto, ku përfshihet Venecia.

Stuhia vdekjeprurëse, e cila po prek shumë zona të territorit francez, me erëra më shumë se 200 kilometra në orë, ka shkaktuar probleme serioze në rrjetin rrugor ndërsa dhjetëra familje janë zhytur në errësirë.

Mediat franceze kishin paralajmëruar se stuhia “Ciaran” do të përfshijë veriperëndimin e vendit. Në bregdet banorët u fortuan dhe në disa zona kompania hekurudhore “SNCF” vendosi të anulojë për masa paraprake linjat e trenave. “Do të jetë një stuhi që do të hyjë në histori në Brittany ,” komentoi Guillaume Sesse, meteorolog dhe themelues i faqes së internetit Météo-villes.