Vendosni fjalën kyçe....

Kompania ruse që financoi lobimin e Bashës mes firmave që shfrytezojnë ligjin e sekreteve në Britani


Media britanike BBC ka publikuar këtë të enjte një investigim të thelluar mbi mënyrën se si një kompani ruse e kamufluar me pronarë të rremë në Mbretërinë e Bashkuar por që ka lidhje me miqtë më të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin ka paguar qindra mijëra dollarë drejt një ish-ndihmësi të fushatës zgjedhore të Donald Trump për të lobuar për kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha në lidhje me zgjedhjet e vitit 2017.

Kompania, e cila rezultonte e regjistruar në Skoci, kishte paguar 150 mijë dollarë drejt një kompanie lobimi në Uashington në mënyrë që Lulzim Basha të mund të shkrepte një foto me ish-presidentin Donald Trump. Kjo foto u përdor më pas nga kryetari i partisë Demokratike në fushatën zgjedhore të vitit 2017.

Ish ndihmësi i fushatës zgjedhore të ish presidentit Donald Trump, Nick Muzin arriti që të organizonte takime, ku Lulzim Basha pati kontakt me një sërë kongresmenësh republikanë.
Raportet e vitit të kaluar nga Inteligjenca Amerikane treguan se fushata zgjedhore e vitit 2017 ku Lulzim Basha kandidonte për tu bërë kryeministër i vendit me sloganin “Ta bëjmë Shqipërinë të madhe përsëri” ishte mbështetur fshehurazi nga Rusia me 500 mije dollarë.

Lulzim Basha që mohoi këto pretendime nuk i është përgjighur kërkesës për më shumë informacion nga BBC, sipas asaj që shkruan media britanike. Pagesat për lobim të figurës së Lulzim Bashës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bërë nga kompania Biniatta Trade, që kishte selinë e saj në Edinburg të Mbretërisë së Bashkuar, një kompani pas të cilës fshihej Alpha Consulting me bazë në ishujt Seychelles.

Alpha Consulting kishte ndihmuar në krijimin e 900 kompanive në Mbretërinë e Bashkuar, kompani këto që u përdorën për të fshehur pronat e oligarkëve rus miq të presidentit Vladimir Putin. Në mesin e këtyre personave ishin edhe ish-kreu i grupit Wagner Yevgeny Prigozhin që donte të fshihte pronësinë e jahtit që ai përdorte.

Investigimi i medias britanike BBC, në bashkëpunim me Finance Undercovered, tregojnë fakte mbi financimin rus brenda Partisë Demokratike, një fakt ky që është konfirmuar një vit më parë edhe nga Inteligjenca Amerikane.