Vendosni fjalën kyçe....

Mali i Zi liron dy të dyshuar për krime lufte në Kosovë


Gjykata e Lartë në Bjello Pole ka liruar nga paraburgimi shtetasin serb, Zhivko Vuksanoviç, 62 vjeç, ekstradimin e të cilit e ka kërkuar Kosova, pasi dyshohet për krime lufte. Po ashtu, edhe një tjetër i dyshuar, që po kërkohet nga Kosova, është liruar nga autoritetet në Mal të Zi.

Lirimi i Vuksanoviçit nga paraburgimi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga kjo gjykatë.

Vuksanoviç gjendej në paraburgim prej 1 tetorit, në pritje të vendimit për ekstradimin ose jo të tij në Kosovë.

Edhe pse Gjykata e Lartë më 27 tetor vendosi për ekstradimin e Vuksanoviçit në Kosovë, po atë ditë, ish-ministri i Drejtësisë, Marko Kovaç, refuzoi kërkesën për ekstradim.

Gazeta në Podgoricë, Pobjeda, tha se Kovaç e arsyetoi vendimin e tij me vlerësimin se “ka dyshime për përndjekje politike”, duke argumentuar se ishte shkelur neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut.

Pas marrjes së vendimit më 31 tetor, Gjykata e Lartë e liroi Vuksanoviçin, i cili qëndroi në paraburgim ekstradues për një muaj.

Ky ishte vendimi i dytë i tillë i ish-ministrit Kovaç në një periudhë shtatëditore, pasi më 26 tetor ai refuzoi edhe ekstradimin e Momçilo Vukotiçit, 61 vjeç, në Kosovë. Ekstradimi i tij ishte kërkuar për shkak se ai dyshohet për krime lufte në territorin e Pejës më 1999, konfirmuan për REL-in nga Ministria e Drejtësisë.

Dhe më pas, Kovaç iu referua Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kovaç i mori këto vendime në javën e fundit të mandatit të tij në Qeverinë e kryeministrit Dritan Abazoviç, mandat që përfundoi me zgjedhjen e Qeverisë së Millojko Spajiqit më 31 tetor 2023.

Vukotiç u arrestua në Mal të Zi më 25 shtator me urdhër të INTERPOL-it të lëshuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), bazuar në memorandumin e mirëkuptimit midis INTERPOL-it dhe UNMIK-ut më 2002, që synon shkëmbimin e informacioneve, urdhërarrestimeve, hetimeve ndërkombëtare dhe çështjeve penale.

Para arrestimit të tij, një nga liderët e Frontit Demokratik pro-serb të shpërbërë së fundi, Millan Knetheviç, i bëri thirrje Qeverisë së atëhershme teknike të Abazoviçit që të mos përfshihet në arrestimin e serbëve dhe malazezëve të zhvendosur nga Kosova.

Vukotiç po ashtu është liruar nga paraburgimi, konfirmoi Gjykata e Lartë për REL-in.

Shtetasi i Kosovës, Ilir Bershia, 48 vjeç, i cili u arrestua në Mal të Zi në fillim të tetorit, është në pritje për vendimin për ekstradim në Kosovë dhe gjendet në paraburgim.

Ai u arrestua me urdhër të UNMIK-ut dhe INTERPOL-it nën dyshime për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë në vitin 1999. Gjykata e Lartë në Podgoricë ka caktuar ndaj tij masën e paraburgimit derisa të merret vendimin lidhur me çështjen e ekstradimit.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, ndërsa nga viti 2008, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit ishte përgjegjës për hetimet e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision ka dorëzuar dokumente në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore./REL