Vendosni fjalën kyçe....

Macron e Scholz i dërgojnë letër Vuçiçit, i kërkojnë normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka pranuar një letër të përbashkët nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, njofton Zyra e Vuçiçit.

Po ju dërgojmë këtë letër të përbashkët në një moment me rëndësi vendimtare për sigurinë në kontinentin evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Jemi të bindur se në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës, duhet të bëjmë përpjekje më të forta në mënyrë që perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet realitet dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet e kamotshme dypalëshe dhe rajonale. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letrën e përbashkët të presidentit Macron dhe kancelarit Scholz.

Ata i bënë thirrje Vuçiçit që të tregojë vendosmërinë dhe gatishmërinë maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën patronazhin e BE-së.

Tensionet e fundit kanë treguar se duhen urgjentisht hapa konstruktivë, si në planin praktik ashtu edhe në atë politik. Prandaj, ne caktuam këshilltarët tanë për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Jens Pletner dhe Emanuel Bono, që t’i ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë Miroslav Lajçakut në përpjekjet e tij. Ne sugjerojmë që këshilltarët tanë, së bashku me Lajçakun, të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, për të shqyrtuar mundësitë për të ecur procesin shpejt përpara. Shpresojmë sinqerisht që kjo iniciativë të ketë interesin dhe mbështetjen tuaj“, thuhet në letër.