Vendosni fjalën kyçe....

5.8 mln euro, lidhet kontrata për rikonstruktimin e Fakultetit të Gjeologji-Minierave


Fakulteti i rikonstruktuar i Gjeologji Minierave dhe një muze i dedikuar do të ndërtohen për 5.8 milionë euro. Universiteti Politeknik i Tiranës ka nënshkruar tashmë kontratën me fituesin BO “R&T & METRO DESIGN” sh.p.k përfaqësuar nga operatori ekonomik “METRO DESIGN” sh.p.k pëër një kontratë me vlerë 620 milionë lekë apo rreth 5.8 milionë euro. Fakulteti pësoi dëme në tërmetin e 21 shtatorit 2019 dhe atë të 26 nëntorit 2019.

“Godina e re e Fakultetit te Gjeologji Minierave nuk pësoi dëmtime të mëdha nga veprimi i tërmetit i datës 21.09.2019 dhe 26.11.2019. Një nder arsyet e qëndrueshmërisë së kësaj strukture ka të bëjë me simetrinë e ketij objekti në formë drejtkëndore dhe kombinimi i mureve mbajtës me kolonat beton-arme. Në tërësi në objekt vihen re dëmtime të suvasë dhe dëme të lehta të mureve në afërsi të çarjeve.”

Sipas dokumenteve Fakulteti ka dy objekte ekzistuese (Godina A dhe Godina B) dhe në projektin arkitektonik parashikohet të ndërtohet edhe një godine e re që do shërbejë si Muze, Bibliotekë dhe Sallë Konferencash (Aula Magna). Kompleksi i Fakultetit shtrihet në kodrat e Liqenit Artificial dhe ka një sipërfaqe të gjelbër përreth tij e cila parashikohet të ndriçohet. Edhe objektet e veçanta parashikohen të kenë ndriçim dekorativ.

Projekti në fjalë parashikon përforcim të godinave ekzistuese ndërkohë që ndryshimi i fasadës kufizohet nga fakti që ka statusin e monumentit.

“Kemi të bëjmë me një objekt i zhvilluar katër kate mbi tokë. Godina në fjalë është realizuar me strukturë mbajtëse me muraturë tulle. Godina e FGJM-se është monument kulture i kategorisë së dytë (nuk lejohen ndryshime të fasadës së saj). Ndërtimi i saj ka filluar në vitin 1982” thuhet në dokumente.

Lidhur me Muzeun e Gjeologjisë dokumentet specifikojnë se ai do të jetë në përdorim të Fakultetit duke shërbyer si një formë për të thelluar njohuritë akademike të studentëve.

“Objektivi kryesor i projektit për “Muzeun e Gjeologjise dhe Minierave “që do te jete në përdorim nga Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave (FGJM) të Universitetit Politeknik të Tiranës” është të sigurojë ambiente të projektuara dhe të përshtatura në përputhje me kërkesat dhe nevojat e veprimtarisë akademike, me standardet bashkëkohore infrastrukturore dhe çdo akt juridik, normativ, apo standard në fushën e projektimit në Republikën e Shqipërisë dhe më gjerë, në shërbim të rritjes së cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor dhe ofrimit të mundësive për thellimin e njohurive teorike dhe praktike. Këto objektiva do te arrihen nëpërmjet krijimit te një vëllimi te ri i cili do te krijoje mundësinë e realizimit të të gjitha këtyre objektivave” vlerëson raporti teknik.

 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor