Vendosni fjalën kyçe....

Rusia planifikon dy hekurudha të reja për në Kinë


Rusia është e angazhuar për ndërtimin e hekurudhave drejt Kinës, pasi të dy vendet po forcojnë lidhjet e biznesit dhe flukset e ndërsjella të ngarkesave po rriten me shpejtësi.

Dy korridore hekurudhore – nga Rajoni i Kemerovës dhe Rajoni i Krasnoyarsk – janë pjesë e strategjisë për zhvillimin ekonomik të Qarkut Federal Siberian të Rusisë, sipas një dokumenti që u publikua në faqen e internetit të qeverisë të hënën.

Një nga linjat e propozuara do shohë ndërtimin e hekurudhës Veri-Siberian, që do kalojë përmes Rajonit Altay në Urumqi – kryeqyteti i Rajonit Autonom të Xinjiang Uyghur të Kinës. Studimet e fizibilitetit, duke përfshirë një vlerësim investimi, do përfundojnë në vitin 2025.

Në fillim të këtij muaji, ndihmësi presidencial Igor Levitin tha se linja Veri-Siberian do lidhë Poligonin Lindor, që është pjesë e korridorit të transportit hekurudhor Trans-Siberian midis Evropës dhe Azisë, duke kaluar përmes Siberisë, me rrugën e Detit të Veriut. Kostoja e parashikuar e hekurudhës së planifikuar prej 1,900 km (1180 milje) është rreth 218 miliardë rubla (2.3 miliardë dollarë).

Rruga e dytë hekurudhore duhet të kalojë përmes Republikës së Tyvas dhe të përfshijë linjën Kuragino-Kyzyl.

Ajo do shtrihej deri në kufirin midis Rusisë dhe Mongolisë, duke u ndarë në dy linja sapo të kalojë kufirin. Dega veriore e itinerarit do të hynte në Kinë në qytetin Erlian, duke hapur qasje të drejtpërdrejtë në Pekin dhe Tianjin.

Dega perëndimore do përfshinte ndërtimin e një hekurudhe që do kalonte përmes qytetit mongol të Khovd dhe qytetit kinez Takashiken në Urumqi.