Vendosni fjalën kyçe....

Shërbimet inteligjente amerikane: Shpërthimi në spitalin e Gazës nuk u bë nga Izraeli


Shtetet e Bashkuara po përpiqen të zbusin zemërimin që ndezi tensione dhe protesta në mbarë botën pas shpërthimit të javës së kaluar në Spitalin Ahli në Gaza.

Indinjata më e madhe pati në qendër Izraelin, pasi shumë e konsideruan fakt të kryer akuzën e grupit militant palestinez Hamas se ishte Izraeli që e kishte ndërmarrë sulmin ajror në spital, duke e quajtur incidentin një “masakër gjenocid”.

Por Uashingtoni e ka hedhur poshtë këtë pretendim, duke ndarë publikisht vlerësimet fillestare të zbulimit amerikan, ndërsa me qeveritë e vendeve të ndryshme ka ndarë edhe detaje sipas së cilave raketa që goditi spitalin në Gazë nuk ishte e Izraelit.

“Ne kemi ndarë analiza me shumë partnerë tanë në mbarë botën”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i zbulimit amerikane, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të incidentit, përcjell VOA.

“Deri tani të dhënat që kemi ofruar kanë qenë të forta”, shtoi zyrtari. “Unë mendoj se me kalimin e kohës do të dërgojmë informacion shtesë”.

Është e paqartë, në këtë pikë, sa ndikim ka shkëmbimi i inteligjencës.

Jordania dhe Egjipti javën e kaluar anuluan takimin me Presidentin amerikan Joe Biden në Aman, duke fajësuar Izraelin për shpërthimin. Incidenti vazhdon të shfaqet dukshëm në demonstratat pro-palestineze në mbarë botën.

“Një nga gjërat që kanë kërkuar diplomatët tanë … është që komuniteti i inteligjencës të bëjë më shumë për të paraqitur përfundimet tona”, tha zyrtari i lartë.

Kjo kërkesë nuk ka qenë vetëm e diplomatëve amerikanë.

“Ka pasur interes të madh për shpërthimin në spitalin në Gazë dhe të dhëna kontradiktore për atë që ndodhi”, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i dytë i lartë amerikan.

“Qeveria e SHBA-së ka punuar që të jetë në gjendje të ndajë sa më shumë informacion që të mundemi në interes të transparencës”.

Taktika e deklasifikimit dhe ndarjes së këtij lloji të informacionit të ndjeshëm të inteligjencës amerikane është gjithnjë e më shumë pjesë e politikave të SHBA-së.

Zyrtarët amerikanë e bënë këtë më së shumti në fillim të agresionit rus kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Në rastin e shpërthimit të javës së kaluar në Spitalin Ahli, zyrtarët e inteligjencës amerikane besojnë se ka prova bindëse për të shfajësuar Izraelin.

Mbështetur në informacionin e marrë nga shumë burime të ndryshme, duke përfshirë imazhet satelitore, të dhënat mbi aktivitetin e raketave dhe komunikimet e përgjuara, si dhe videot dhe fotografitë që tanimë janë publikuar, zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë arritur në përfundimin “mjaft të besueshëm” se Izraeli nuk ishte përgjegjës për shpërthimin në spitalin në Gazë.

“Ka dy arsye kryesore”, tha një zyrtar tjetër i zbulimit amerikan, i cili gjithashtu foli në kushte anonimiteti.

“E para është ajo që shohim kur shikojmë efektet e shpërthimit. Dëmi në spital është në përputhje me atë që do të shkaktonte një raketë, por nuk ka përmasat e kraterit që ka krijuar dhe efektet e tjera të shpërthimit nuk përputhen me ato që shkakton goditja me municion nga ajri apo një raund artilerie”, tha zyrtari.

“Shpërthimi rezultoi në vetëm dëmtime të lehta strukturore në spital”, vazhdoi zyrtari, krejt ndryshe nga dëmet që shkaktohen nga sulmet ajrore të Izraelit.

“Nuk pati dëme të dukshme në godinën kryesore të spitalit, nuk u shkaktua asnjë krater i madh nga goditja, vetëm dëmtime të lehta në çatitë e dy strukturave pranë objektit kryesor të spitalit dhe të dyja mbetën të paprekura”, sqaron zyrtari i zbulimit amerikan për Zërin e Amerikës.

Arsyeja e dytë pse zyrtarët amerikanë besojnë se Izraeli nuk ishte i përfshirë, sipas zyrtarit, vjen nga videot e shpërthimit nga katër këndvështrime të ndryshme.

Mbështetur në dy nga videot, zbulimi amerikan përcaktoi se raketa ishte lëshuar nga brenda Rripit të Gazës, në drejtim të verilindjes.

Më pas, rreth 10 sekonda pas fluturimit të raketës, motori fillon të ketë probleme dhe bëhet i paqëndrueshëm.

Pesë sekonda më pas, videot tregojnë një shkëndijë drite – “vlerësimi ynë është se motori i raketës u shua ” tha zyrtari. Pesë sekonda më pas objekti i parë godet tokën dhe disa sekonda më vonë, ra një objekt tjetër, duke rezultuar në një shpërthim të madh.

“Përfundimi ynë është se ka pasur një dështim katastrofik, i cili ka ndarë motorin nga koka e raketës”, tha zyrtari i cili sqaroi se fatkeqësisht “koka e raketës ra në kompleksin e spitalit”.

Ministria e shëndetësisë e Gazës tha se shpërthimi vrau rreth 500 njerëz. Por zyrtarët amerikanë i thanë Zërit të Amerikës javën e kaluar se ata vlerësojnë se numri i vdekjeve ka të ngjarë të jetë mbi 100.

Zyrtarët amerikanë gjithashtu thanë se përcaktimi i numrit të vdekjeve ka të ngjarë të jetë i vështirë dhe ata hedhin dyshime mbi aftësinë e autoriteteve të Hamasit për të siguruar këto të dhëna duke qenë se ata vetë “po hasin vështirësi për të funksionuar në këtë moment”.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane gjithashtu kundërshtuan disa teori, të përhapura në rrjetet sociale, që këmbëngulin të fajësojnë Izraelin duke thënë se ishte sistemi i mbrojtjes ajrore izraelite i njohur si Kupola e Hekurt (Iron Dome) ai që rrëzoi raketën palestineze brenda Gazës.

“Vlerësimi ynë është se Kupola nuk do të kapte një raketë që po digjej”, tha zyrtari i inteligjencës amerikane.

Zyrtarët amerikanë gjithashtu mbështetën pretendimet izraelite se shkalla e dështimit të raketave të Hamasit është e lartë. Izraeli ka thënë së fundmi se vetëm më 21 tetor, një në pesë raketa të Hamasit patën defekte, duke goditur Gazën në vend të objektivave në Izrael.

Një drejtim tek i cili zbulimi amerikan ende po përpiqet të sigurojë më shumë të dhëna është pyetja se kush e hodhi raketën që goditi Spitalin Ahli.

Një nga vlerësimet e para të zbulimit amerikan ishte se ndoshta raketa mund të jetë hedhur nga Xhihadi Islamik Palestinez, një grup tjetër militant. Por zyrtarët thonë se nuk kanë shumë besim tek informacioni për këtë pretendim sepse ai mbështetet, pjesërisht, në një komunikim të përgjuar midis militantëve të tjerë që mendohet se janë pjesë e Hamasit.

“Ata vetë po spekulojnë se kush është përgjegjës”, tha zyrtari i zbulimit amerikan, duke shtuar se regjistrimi i audios i analizuar nga inteligjenca amerikane është i ndryshëm nga audio e qarkulluar nga zyrtarët izraelitë javën e kaluar.

“Ka një audio shtesë që na është dhënë nga izraelitët që është verifikuar me kujdes dhe është përcaktuar se është komunikim autentik i militantëve palestinezë. … Modelet gjuhësore janë vlerësuar dhe përcaktuar të jenë autentike”, sipas zyrtarit.

Xhihadi Islamik Palestinez ka mohuar se ka lëshuar raketën që ra në spitalin Ahli.

Zyrtarët amerikanë thonë se nëse informacione të reja dalin në dritë, ata do t’i shqyrtojnë edhe ato.

“Kjo çështje nuk është e mbyllur për ne”, tha zyrtari i lartë i zbulimit amerikan. “Nëse marrim informacion shtesë që do të çonte në një drejtim tjetër, ne do ta raportojmë edhe atë”.