Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria izraelite thotë se 123 ushtarë janë vrarë në luftimet kundër Hamasit


Ushtria izraelite njoftoi të martën se 123 ushtarë janë vrarë që nga luftimet që shpërthyen me grupin palestinez Hamas gjatë fundjavës.

Faqja e internetit Times of Israel raportoi se ushtria izraelite publikoi emrat e 38 ushtarëve të tjerë të vrarë në luftimet gjatë tre ditëve të fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 123.

Ndërkohë, numri i përgjithshëm i izraelitëve të vrarë deri më tani shkon në mbi 1  mijë, ndërsa numri i të plagosurve është 2616.

Sa i përket robërve izraelitë që mbahen në Gaza, asnjë numër i saktë nuk është bërë i ditur nga autoritetet izraelite. Ndërsa ushtria izraelite njoftoi se informoi mbi 100 familje se të afërmit e tyre janë në robëri të Hamasit, ambasadori i Izraelit në OKB Gilad Erdan vlerësoi se numri i pengjeve izraelite është midis 100 dhe 150.

Hamasi nisi Operacionin ‘Al-Aksa Flood’ kundër Izraelit herët të shtunën, duke lëshuar një breshëri raketash dhe duke u infiltruar në Izrael nga toka, ajri dhe deti. Grupi tha se sulmi i befasishëm ishte në përgjigje të sulmit ndaj Xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar dhe rritjes së dhunës së kolonëve kundër palestinezëve.

Si hakmarrje, ushtria izraelite nisi operacionin ‘Shpatat e Hekurt’ kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

Numri i palestinezëve të vdekur nga sulmet izraelite në Gaza është rritur në 830, përfshirë 143 fëmijë dhe 105 gra, tha Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza të martën herët. Ajo tha se numri i të plagosurve është rritur në rreth 4,000.