Vendosni fjalën kyçe....

Radio Televizioni Publik Italian do të flasë shqip, parlamenti italian miraton rezolutën


Radio Televizioni Publik Italian ka vendosur  të ofrojë programacion në gjuhën shqipe të arbëreshëve. Kjo falë miratimit të rezolutës nga Parlamenti Italian, përkatësisht nga Komisioni i Mbikëqyrjes së Shërbimit Publik, e cila në mesin e disa gjuhëve të pakicave etnike në Itali ka përfshirë edhe atë shqipe.

Ky propozim u prezantua nga senatori i “Forza Italia”-s, Maurizio Gasparri, e cila garanton që për pesë vjet e ardhshme, Radio Televizioni Italian të ofrojë program për arbëreshët që gjinden në Kalabri, Basilicata, Puglia, Molise, Campania, Abruzzo e Sicili.

Kërkesa është dorëzuar zyrtarisht në Parlamentin Italian më 7 shtator 2023 nga Lëvizja Federative e Pakicave Gjuhësore Kalabria e Re së bashku me një grup profesorësh nga Universiteti i Kalabrisë, Palermos e nga kryetarë bashkishë të disa komunave arbëreshe.

Kjo është hera e parë që RAI harton një kontratë të tillë pas mbi 20 vite kur në Itali ka hyrë në fuqi ligji 482 i vitit 1999 në mbrojtje të pakicave gjuhësore e historike në Itali.

“RAI, nënvizon rezoluta në nenin 9 të kontratës së shërbimit për të mbështetur integrimin, mbrojtjen dhe valorizimin e pakicave gjuhësore, kërkohet garantimi i prodhimit dhe shpërndarjes së transmetimeve radiotelevizive, si dhe përmbajtjeve audiovizive, në gjermanisht dhe latinisht për provincën autonome. Rajoni i Bolzanos, në gjuhën ladine për provincën autonome të Trentos, në sardineze për rajonin autonom të Sardenjës, në frëngjisht për rajonin autonom të Valle d’Aosta, në Friuliano dhe Sllovenisht për rajonin autonom Friuli-Venezia Giulia dhe në gjuhën shqipe për rajonin e Kalabrisë”, thuhet në rezolutë.

RAI me këtë rezolutë obligohet të ofrojë cilësi teknike si dhe të garantojë digjitalizimin e arkivave audiovizive, të cilat më vonë do të shndërrohen në literaturë referuese në institucione arsimore dhe shoqata kombëtare.