Vendosni fjalën kyçe....

Studentët e mjekësisë kundër kontratës, duan të qëndrojnë në Shqipëri por jo me detyrim


Studentët e mjekësisë janë shprehur kundër kontratës që i detyron ata të punojnë në Shqipëri 3 vjet pas diplomimit.

Në emisionin “Opinion”,  ata kanë treguar arsyet se pse janë kundër edhe pse u shprehën se duan të punojnë në Shqipëri, por kjo gjë të mos jetë me detyrim.

Ata argumentuan se mundësia për të kryer një specializim jashtë pengohet nga kjo lloj kontrate dhe se në rast se nuk e nënshkruajnë ata detyrohen të paguajnë rreth 6 milionë e 800 mijë lekë në vit.

Pjesë nga diskutimi:

-Kam një pyetje: Sa prej jush duan të punojnë në Shqipëri dhe sa kanë ndërmend të ikin? Në Shqipëri? Të gjithë doni për në Shqipëri?! Po çfarë problemi keni pastaj me ligjin?

Studenti 1: Ky ligj është detyrues. Ne të gjitha deklaratat tona publike, kemi deklaruar qartë se ne duam ta zgjedhim Shqipërinë jo si vend që duam të punojmë ato dy, tre vite, por të punojmë gjatë gjithë jetës, t’u shërbejmë familjarëve tanë, të zhvillohemi këtu, të krijojmë familjen këtu, pra ta zgjedhim vendin. Vendi ynë të bëhet konkurrues.

Kjo është ëndrra e gjithsecilit kur nis, por në fakt realiteti ka treguar që vitet e fundit, pjesa më e madhe e mjekëve të sapodiplomuar, pra që nuk kanë një eksperiencë të gjatë shërbimi, largohen.

Studenti 2Nuk ka asgjë të keqe, që edhe mjekët pasi marrin arsimin e lartë këtu të shkojnë për një specializim në një vend tjetër, ku ka mundësi më shumë dhe pastaj të rikthehen për të dhënë kontributin e tyre këtu.

Studenti 3Gjithë statistikat e kanë treguar se mjekët që largohen janë ata që kanë përfunduar specializimin këtu në Shqipëri dhe nuk e kanë gjetur veten e tyre në asnjë vend ku ata punojnë. Qoftë në rrethe, apo në Tiranë.

Studenti 1: Nëse një student ti e detyron, do shkosh të punosh ku të them unë, sa vite të them unë, me këtë pagë që them unë, është e barabartë me skllavërinë. Vetë tregu i punës e dikton që unë nesër kur të diplomohem si mjek të shkoj aty ku paga është më e lartë, mirëqenia më e mirë dhe të ndjek specializimin që kam dashur. Por ky shtet që mua më tha do paguash 450 mijë lekë të vjetra vit për vit, do shlyesh provimet dhe në fund do marrësh diplomën, tani në mes të studimeve më thotë ti tani do paguash 6 milionë e 800 mijë në vit sepse ky është me VKM, do rrish dhe 3, 4 vite sa dua unë. Ku ta di unë që kjo qeveri ose një tjetër vjen e më thotë që ti nuk do vazhdosh me specializim?!