Vendosni fjalën kyçe....

Gjobiten mbi 12 mijë drejtues mjetesh brenda javës nga Policia Rrugore e Tiranës


Mbi 12 mijë drejtuesh mjetesh janë ndëshkuar nga Policia Rrugore në Tiranë brenda një jave.

Shkeljet për të cilat janë vënë gjobat përfshijnë më së shumti parkimet e gabuara, shpejtësia mbi normat e lejuara si dhe parakalimet e gabuara, ndërsa janë vënë gjoba edhe për shkelje të tjera.

Ditët e fundit ministri i Brendshëm Balla ka paralajmëruar për masa të ashpra ndaj drejtuesve të mjeteve që shkelin ligjin e rregullat eqarkullimit duke u bërë pengesë për lëvizjen e shkaktarë aksidentesh.

“Policia Rrugore e Tiranës, në vijim të punës për garantimin dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, ka shtuar kontrollet në të gjitha akset rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Kontrollet janë fokusuar kryesisht te ata drejtues automjetesh që parkojnë në mënyrë të gabuar duke u bërë shkak për krijimin e trafikut të rënduar, ata që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara dhe ata që parakalojnë në mënyrë të gabuar, duke u bërë burim aksidenti. Për shkeljet e lartpërmendura, gjatë javës që lamë pas, Policia Rrugore e Tiranës ka ndëshkuar me masë administrative 12 607 drejtues automjetesh. Policia Rrugore e Tiranës apelon për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe për të gjithë qytetarët, që të denoncojnë në numrin falas 112 ose në adresat zyrtare të Policisë, çdo rast të shkeljes së këtyre rregullave.” – thuhet në njoftimin e policisë.