Vendosni fjalën kyçe....

Meta dënon me forcë deklaratat e Ramës për Kosovën: Përsërit mesazhet e Vuçiçit


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit Edi Rama mbi situatën në Kosovë.

Meta ka dënuar deklaratat dhe paralelizmat sipas tij që Kryeministri bën mes veriut të Kosovës dhe situatës në Donbas.

Ndërsa kërkesën e Ramës për vënien e veriut të Kosovës nën kontrollin e KFOR-it, Meta e quajti përsëritje të mesazheve dhe tezave të Vuçiçit.

Dënoj me forcë deklaratat e kryeministrit Rama dhe paralelizmat që ai bën për Veriun e Kosovës me situatën në Donbas.

Gjendja shumë e rënduar në Veriun e Kosovës është administruar me profesionalizmin më të lartë nga policia dhe institucionet e shtetit të Kosovës.

Ne mbështesim plotësisht autoritetet kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilat po ushtrojnë të drejtat e tyre në ruajtje të rendit publik, territorit dhe sovranitetit të vendit.

Kërkesa e Ramës për vendosjen e Veriut të Kosovës nën kontrollin e KFOR-it është thjesht përsëritje e mesazheve dhe tezave të Vuçiçit, për ta konsideruar Veriun e Kosovës një konflikt të ngrirë, duke i bërë shërbim projektit Serb të ndarjes së Kosovës, ndërkohë që Republika e Kosovës është sot një shtet i pavarur, demokratik, multietnik, i njohur në arenën ndërkombëtare.

Kryeministri i Shqipërisë duhet të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës.

Detyra e tij kushtetuese dhe përgjegjësia e tij është që të dënonte rreptë agresorët dhe provokuesit serbë dhe t’i kërkonte Serbisë njohjen e Kosovës, si dhe nënshkrimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit”-shkruan Meta.