Vendosni fjalën kyçe....

Kurti i kthen përgjigje Ramës: Kemi nevojë për patrulla të përbashkëta polici e Kosovës-KFOR


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur deklaratave të homologut të tij në qeverinë e Shqipërisë Edi Rama që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës.

Kurti, në një intervistë për median boshnjake Hayat TV”, ka thënë se është Policia e Kosovës ajo që përgjigjet për sigurinë në Kosovë, pastaj vijnë EULEX-i dhe KFOR-i.

Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta nga policia jonë dhe KFOR-i në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa, sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është e përcaktuar. Kudo në Kosovë – e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet të ndryshojë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Shqipërisë tha se KFOR duhet ta marrë sa më parë në kontroll veriun e Kosovës, në mënyrë që situata të mos përkeqësohet dhe të mos ketë më viktima si pasojë e sulmeve. Sipas tij kjo gjë duhet të kishte ndodhur më parë, por megjithatë më mirë pak vonë se sa shumë vonë.

“Për të parandaluar me çdo mjet këtë konflikt, KFOR duhet të marrë në kontroll Veriun Kosovës. Nuk kam dëgjuar ta kundërshtojë Serbia. Këtu s’ka rëndësi se kush e kërkon, këtë e kërkon situata. Po të ishte bërë më parë kjo nuk do të kishte ndodhur. Pak vonë sipas meje, por më mirë pak vonë se sa shumë vonë”, shtoi Rama.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, bëri thirrje për tërheqjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës. Presidenti serb këtë thirrje e bëri gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Rasmussen.

E përsërita kërkesën që sigurinë në veri të Kosovës ta marrin pjesëtarët e KFOR-it, i cili ka kapacitete për të parandaluar veprimet e dhunshme të Prishtinës”, citohet të ketë thënë Vuçiç.