Vendosni fjalën kyçe....

Përfundon bastisja në fshatin Banjskë të Zveçanit, sot pritet të vendoset se si do të procedohet më tej


Të martën zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani, ka deklaruar  se ka përfunduar aksioni i Policisë së Kosovës për bastisje dhe se sot (e mërkurë) do të vendoset se si të procedohet më tej me situatën.

“Ka përfunduar aksioni i bastisjes. Nesër pas orën 9 do të vendoset se si të procedohet tutje”, ka thënë Elshani.

Gjatë këtij aksioni, policia ka konfiskuar arsenal armësh dhe mjetesh të ndryshme, të cilat u prezantuan edhe nga ministri i Brenshëm, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, gjatë një  konference për media të hënën.

Nga aksioni deri tashmë janë konfirmuar tre sulmues të vrarë dhe tetë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.

Lista Serbe ditën e djeshme ka deklaruar se do të mbahet tre ditë zie për vdekjen e tre sulmuesve serbë. 

“Në mjediset serbe në territorin e Kosovës do të anulohen të gjitha ngjarjet argëtuese të organizuara nga organet dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale dhe flamujt e Republikës së Serbisë në të gjitha institucionet do të ulen në gjysmështizë”, thuhej në njoftim.

Po ashtu, Serbët e Zveçanit u mblodhën për të ndezur qirinj për pjesëtarët e grupit terrorist që u vranë gjatë sulmit të organizuar ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë ku mbeti i vrarë efektivi kosovar, Afrim Bunjaku. 

Mes tyre ishin dhe krerët e Listës Serbe, Igor Simiç dhe Goran Rakiç, ku ky i fundit në një moment është përkulur dhe ka puthur fotografinë e një prej terroristëve të vrarë të dielën në Kosovë.