Vendosni fjalën kyçe....

Kosova në ditë zie në nder të policit të vrarë Afrim Bunjaku


Kosova ndodhet sot në ditë zie në nder të policit Afrim Bunjaku, që u vra të dielën e 24 shtatorit gjatë  përleshjeve me një grup kriminal prej 30 personash të armatosur në veri të Kosovës, në fshatin Banjskë të Zveçanit e banuar me shumicë serbe.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e shpalli ditën e sotme ditë zie dhe flamujt e të gjitha institucioneve do të ulen në gjysmështizë dhe do të kryhen nderimet e rastit. Mbrëmjen e djeshme janë ndezur qirinjë dhe janë kryer homazhe për policin nga Vushtria.

Ndërkohë gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme kryeministri Albin Kurti deklaroi se operacioni për kapjen e anëtarëve të grupit të armatosur që sulmuan policinë e Kosovës përgjatë gjithë ditës së djeshme do të vijojë.

Si pasojë e përleshjes me grupin e armatosur të veshur me uniformë u plagosën dhe 3 policë. Ministri i Brendshëm deklaroi se nga shkëmbimi i zjarrit kishin mbetur të vrarë edhe 3 sulmues ndërsa 6 ishin arrestuar, 2 prej tyre të plagosur.

Kurti u shpreh dje se Policia e Kosovës mbetet në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in dhe se gjatë operacionit ishin sekuestruar qindra armë e municione.

“Në operacionin e sotëm kundër terroristëve të armatosur, Policia e Kosovës, konfiskoi qindra armë dhe municione, duke përfshirë pajisje të rënda ushtarake, si mitralozë, granata e të tjera. Policia jonë mbetet në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in. Operacioni është në vazhdim” -shkruajti Kurti në një postim në plaftormën “X”