Vendosni fjalën kyçe....

I kapen 4 mina me telekomandë, arrestohet në Vlorë 51-vjeçari nga Lezha


4 mina me telekomandë të programuara për shpërthim në distancë janë sekuestruar në Vlorë ndërsa në pranga ka përfunduar një 51-vjeçar, banues në Lezhë.

Ai i kishte fshehur minat në kroskotin e mjetit që drejtonte.

Personi i kapur në flagrancë është identifikuar si Petrit Ndoji u kap në rrugën ‘Gjergj Kastrioti’ teksa lëvizte me mjetin ‘Ford Fiesta’.

Pas kontrollit atij iu kapën katër minat me telekomandë të pajisura me aparat celular e kapsolla shpërthyese.

Njoftimi

“Në vijim të punës intensive të Policisë, për të garantuar sundimin e ligjit në të gjithë vendin, për të parandaluar ngjarjet kriminale, si dhe për të kapur dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit që janë rrezik për rendin dhe sigurinë publike, strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, finalizuan operacionin e koduar “Knock Out 3”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Petrit Ndoji, 51 vjeç, banues në Lezhë.

Shërbimet e Policisë, në rrugën “Gjergj Kastrioti”, ndaluan automjetin tip “Ford Fiesta”, që drejtonte i arrestuari. Gjatë kontrollit të imtësishëm, në kroskotin e këtij automjeti, u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 4 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C4, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale.

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për të dokumentuar ligjërisht qëllimin e shtetasit Petrit Ndoji.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Më herët, Policia e Vlorës sekuestroi 5 mina të tjera gjatë operacioneve “Knock Out” dhe “Knock Out 2”. Si rezultat i punës së Policisë, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, u vunë në pranga 4 shtetasit që transportonin këto mina me eksploziv C4.”