Vendosni fjalën kyçe....

Tentoi të trafikonte pistoletë drejt Francës, arrestohet në Durrës 21-vjeçari nga Kosova


Një 21-vjeçari nga Kosova (rezident në Francë), është arrestuar nga policia pasi tentoi të trafikonte drejt Francës, një armë zjarri pistoletë.

Policia i ka sekuestrohet armën e zjarrit pistoletë dhe 2 krehra të saj.

Krahas angazhimit maksimal për t’i ofruar fluksit të qytetarëve në hyrje/dalje, shërbim profesional, të shpejtë dhe me etikë, strukturat hetimore dhe ato operacionale të Policisë Kufitare të portit të Durrësit vijojnë kontrollet ndaj shtetasve dhe në mjetet me të cilat ata lëvizin, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi.

Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas posedonte armë zjarri që do ta trafikonte drejt vendit të tij të rezidencës, u finalizua operacioni policor i koduar “Rezidenti”, në kuadër të të cilit në dalje të RSh-së, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi nga Kosova, V. A., 21 vjeç, rezident në Francë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në vijë të dytë, në automjetin tip “Fiat 500” që drejtonte 21-vjeçari, Policia gjeti të fshehur një armë zjarri pistoletë dhe 2 krehra të saj, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”- njofton policia.