Vendosni fjalën kyçe....

Operacion antidrogë në Krujë, Shkodër, Lezhë dhe Tropojë, asgjesohen mbi 24 mijë rrënjë kanabisi


Rreth 7000 punonjës policie dhe 90 dronë të cilësisë së lartë, janë vënë në “ndjekje” të kanabisit dhe kultivuesve të tyre prej më shumë se 72 orësh.

Nga kontrollet janë zbuluar 24 220 rrënjë kanabisi në Krujë, Shkodër, Lezhë dhe Tropojë.

 

Njoftimi:

Në qarkun Shkodër, si rezultat i fazës së 13-të të megaoperacionit policor “Alpe të pastra” u asgjësuan në total 15 338 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkive Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Fushë Arrëz. Si autor i dyshuar i njërit prej rasteve të kultivimit, u shpall në kërkim shtetasi P. D., 52 vjeç, banues në Arst, Fierzë, Fushë Arrëz. Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në rastet e tjera të kësaj veprimtarie kriminale.

Në malësinë e Krujës, si rezultat i fazës së 35-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u asgjësuan 4630 bimë narkotike kanabis që u gjetën të kultivuara në zona të ndryshme

Në qarkun Lezhë, si rezultat i fazës së 33-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, u asgjësuan në total 4000 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në disa fshatra të ndryshme të rretheve Lezhë dhe Kurbin.

Në zona malore të rrethit të Tropojës, si rezultat i fazës së 7-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Bjeshkët e Nemuna”, u asgjësuan 252 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkisë Tropojë.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në rastet e kësaj veprimtarie kriminale. 

Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “FOKUSI” po vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e GDF-së.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për përmbushjen e objektivit të megaoperacionit “FOKUSI”, si dhe për denoncimin e çdo paligjshmërie tjetër, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurtë për të gjithë.