Vendosni fjalën kyçe....

Rrezikuan të mbyteshin në Golem, nxirren nga uji tre pushuese nga Maqedona e Veriut, dy në gjendje të rëndë


Tre qytetare nga Maqedonia e Veriut kanë rrezikuar të mbyten në plazhin e Golemit.

Ato janë nxjerrë nga uji e u është dhënë ndihma e parë nga pushuesit e tjerë, roja bregdetare e policia e Kavajës e janë dërguar me shpejtësi në spitalin e Durrësit.

48-vjeçarja me iniciale Sh.A. ndodhet jashtë rrezikut për jetën ndërsa 66-vjeçarja me iniciale K.A. dhe një 60-vjeçare e paidentifikuar janë në gjendje të rëndë.

Njoftimi

“Kavajë/Informacion paraprak

Pasditen e sotme, në plazhin e Golemit, duke notuar, kanë rrezikuar të mbyten në det, 3 shtetase nga Maqedonia e Veriut. Menjëherë i është dhënë ndihma e parë nga pushuesit e tjerë, roja bregdetare dhe efektivët e Policisë Kavajë që ishin me shërbim në vijën bregdetare. Të trija këto shtetase janë dërguar në Spitalin Rajonal Durrës, për ndihmë mjekësore. Shtetasja Sh. A., 48 vjeçe, ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shtetasja K. A., 66 vjeçe dhe shtetasja tjetër, ende e paidentifikuar, rreth 60 vjeçe, janë në gjendje të rëndë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.”