Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama e Beqja autorë të vjedhjes së dytë më të madhe në vend, fatura e koncesioneve në shëndetësi 450 milionë euro


Kreu i Rithemelimit të PD-së Berisha tha sot se koncesionet në shëndetësi janë vjedhja e dytë më e madhe në Shqipëri me faturën që shkon deri në 450 milionë euro.

Ai akuzoi kryeministrin Rama e ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja si autorë kryesorë të vjedhjes së dytë të shekullit në vend.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, ish-kryeministri tha se fatura e koncesionit të sterilizimit në 5 vitet e para ka qenë 76 milionë euro ndërsa pritet t’u kushtojë shqiptarëve deri në 170 milionë euro.

“Koncesionet në shëndetësi janë në të gjitha aspektet vjedhja e dytë më e madhe në Shqipëri. Fatura e tyre minimale, e përcaktuar si faturë dysheme në kontrata për 10 vitet, por është në letër, shkon në 450 milionë euro apo 45.5 miliardë lekë. Por sipas zbatimit dhe vjedhjeve që bëhen gjatë zbatimit të këtyre praktikave, kjo faturë ka të gjitha potencialet të shkojë 900 milionë deri 1 miliard euro mbi shpatullat e shqiptarëve. Sot çështje dite është sterilizimi dhe koncesioni i sterilizimit, që ishte parashikuar t’iu kushtonte në 10 vite taksapaguesve në kursin e atëhershëm, 100 milionë euro. Në 5 vitet e para ka kushtuar për shkak të vjedhjeve 76 milionë euro. Pra kjo faturë pritet të shkojë deri në 170 milionë euro. Autorë kryesorë absolutë, por autori kryesor dhe mbështetësi i vjedhjes së dytë të shekullit, është Ilir Beqja dhe Edi Rama. Janë të paprekshëm dhe mbi ligjin. Duke përshëndetur, duke vlerësuar çdo akt të zbatimit të ligjit, duke konsideruar legjitime të gjithë urdhër-arrestet të lëshuar nga gjykata me kërkesë të prokurorisë për aferën, unë uroj që qytetarët shqiptarë mos të pengojnë degëzat dhe gjethet të shohin trungjet. Se kjo do të ishte një katastrofë.” – tha Berisha.