Vendosni fjalën kyçe....

Vuante dënimin për vjedhje, vdes në burgun e Rrogozhinës 37-vjeçari


Një 37 vjeçar i dënuar për vjedhje ka ndërruar jetë në ambientet e burgut të Rrogozhinës ku po vuante dënimin prej 13 janarit 2023.

Referuar deklarimeve të banorëve të dhomës si dhe të punonjësit të shërbimit, rreth orës 20.30, i dënuari Mariglen Alterziu është futur në tualet  dhe pas disa minutash është konstatuar pa ndjenja i rënë në dysheme. Menjëherë është thirrur stafi shëndetësor i turnit, i cili ka shkuar tek pacienti në orën 20.38, për një kohë më pak se 3 minuta dhe i ka dhënë ndihmën e parë, informon policia Drejtoria e Burgjeve

Është urdhëruar shoqërimin i tij për në Qëndrën Shëndetesore Rrogozhinë nëpërmjet punojësve të policisë të grupit të sigurisë dhe stafit shëndetësor, të cilët ishin me shërbim. Në orën 21.15 të mbrëmjes së 12 gushtit është konfirmuar nga mjekja e shërbimit e Qendrës Shëndetësore Rrogozhinë vdekja e tij.

 Një ekip i Drejtorisë së Përgjithshme dhe specialistët e SHKBB kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimin lidhur me rrethanat e vdekjes. Nga vlerësimi paraprak – si dhe deklarimet e stafit shëndetësor – dyshohet për arrest kardiak, por kjo pritet të konfirmohet nga ekspertët e mjekësisë ligjore.

“Nga të dhënat, ky i burgosur është klasifikuar si person i qetë dhe pa asnjë problematikë të veçantë, – nuk ka asnjë evidencë që të ketë pasur konflikte apo hasmëri me persona të tjerë brenda regjimit, si dhe nuk ka të dhëna si përdorues i lëndëve narkotike apo psikotrope. Gjithashtu, që nga nisja e dënimit nuk ka pasur asnjë kërkesë nga i ndjeri apo stafi mjekësor për probleme të mundshme shëndetësore” informon Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e cila e mbyll deklaratën duke i shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të të ndjerit.