Vendosni fjalën kyçe....

Inteligjenca artificiale “mësyn” edhe në gazetari, në Malin e Zi, lajmet transmetohen nga spikerja virtuale


 

Inteligjenca Artificiale ka nisur të përhapet shpejtësi, ku tashmë për herë të parë në rajon, Mali i Zi do të transmetojë lajmet që jepen nga spikeret virtuale.

Portali Dnevne novine Dan në Podgoricë, ka vendosur të transmetojë informacionet e fundit përmes spikeres virtuale, Ana AI ose Sara AI, që nga fundi i korrikut për çdo ditë të javës.

Redaktori i portalit, Mili Preleviç, shpjegoi për Radio Evropa e Lirë (RSE) se gazetarët e shkruajnë lajmin dhe më pas ajo e lexon atë.

Spikerja virtuale nuk ka nevojë për grim dhe as nuk ankohet nëse nuk i pëlqen apo nuk e kupton atë që është shkruar, madje nuk ka pakënaqësi as për orët e vona të transmetimit të lajmeve.

Ai deklaroi se ata zgjedhin çfarë të duan për të, përfshirë veshjen dhe ngjyrën e flokëve, pra çdo gjë është në dorën e tyre.

Projekti, i pari i këtij lloji në Mal të Zi, u krye duke përdorur inteligjencën artificiale gjeneruese, një teknologji që mund të prodhojë lloje të ndryshme të përmbajtjes, duke përfshirë tekst, imazhe, audio dhe të dhëna.

Përdorimi i inteligjencës artificiale në gazetari ngre pyetje të shumta, kryesisht në fushën e përdorimit etik.

Eksperti i Inteligjencës Artificiale, Mihailo Baçkoviç, deklaroi se kjo mënyrë është e dobishme për produktivitet, por i rrezikshëm nëse gjendet në duart e dikujt që synon të prodhojë propagandë në sasi të mëdha.

Sipas tij, është e nevojshme që një person të verifikojë gjithmonë përmbajtjen dhe të ketë fjalën e fundit kur e publikon.

Spikerja virtuale nuk është gjëja e parë që ky portal ka bërë në fushën e inteligjencës artificiale. Më parë ata publikuan disa tekste përmes Chat GPT, një aplikacion i inteligjencës artificiale që gjeneron tekstet.