Vendosni fjalën kyçe....

Nigeri mbyll hapësirën ajrore mes kërcënimit për ndërhyrje ushtarake nga jashtë (Video)


 

Qeveria ushtarake e dalë nga grushti i shtetit në Niger ka premtuar ‘një përgjigje të fuqishme dhe të menjëhershme’ ndaj çdo shkeljeje të hapësirës ajrore të vendit.

Niamey po përgatitet për një ndërhyrje të mundshme ushtarake pasi një afat i caktuar nga Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) për të rikthyer në pushtet Presidentin Mohamed Bazoum, skadoi të dielën.

“Përballë kërcënimit të ndërhyrjes, i cili po bëhet gjithnjë e më i qartë nga vendet fqinje, hapësira ajrore e Nigerit është e mbyllur nga kjo ditë e diel…deri në njoftimin e mëtejshëm”, njoftoi qeveria ushtarake.

Deklarata, e cituar nga AFP, paralajmëroi se ‘çdo përpjekje për të shkelur hapësirën ajrore’ do çojë në një ‘përgjigje të fuqishme dhe të menjëhershme’.

Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e Atdheut, i cili mori pushtetin në një grusht shteti ushtarak muajin e kaluar, pretendoi se forcat armiqësore rajonale kanë kryer tashmë ‘paravendosje në përgatitje për ndërhyrjen’ në dy vende të paidentifikuara të Afrikës Qendrore.

“Çdo shtet i përfshirë do konsiderohet bashkëluftëtar”, shtoi ai.

ECOWAS vendosi sanksione të ashpra dhe lëshoi ​​një ultimatum njëjavor për liderët ushtarakë javën e kaluar, duke kërcënuar se do dërgojë trupa në Niger nëse gjenerali Abdourahamane Tchiani dhe kabineti i tij i gjeneralëve nuk largohen dhe rivendosin Presidentin Bazoum.

Afati, megjithatë, kaloi pa u vënë re. Megjithëse ushtritë e disa anëtarëve të ECOWAS ranë dakord për një plan për ndërhyrje të mundshme ushtarake në një takim të premten, bllokut i duhet ‘më shumë kohë’ për t’u përgatitur për operacionin, sipas Wall Street Journal.

“Për momentin, ne duhet të forcojmë forcat e njësive tona përpara se të marrim pjesë në një aksion të tillë ushtarak,” i tha gazetës një komandant i lartë nga një prej vendeve të ECOWAS.

Junta gjithashtu dyshohet se i ka kërkuar ndihmë kompanisë ushtarake private të Rusisë ‘Wagner’, por as Kremlini dhe as ‘Wagner’ nuk i kanë komentuar këto pretendime.

“Ne të gjithë do qëndrojmë dhe do luftojmë si një popull i vetëm”, tha zyrtari i lartë i juntës, gjenerali Mohamed Toumba në një tubim në kryeqytetin nigerian Niamey të dielën pasdite, duke u kërkuar mbështetësve që të ‘qëndrojnë të mobilizuar’.

Ndërkohë, Bazoum ka bërë thirrje për një ndërhyrje perëndimore, duke pretenduar se nëse SHBA dhe ECOWAS nuk e ndihmojnë atë të rimarrë pushtetin, Wagner do ketë një ‘ftesë të hapur’ në rajon dhe i gjithë Saheli qendror ‘mund të bjerë nën ndikimin rus’.

SHBA dhe BE kanë vendosur sanksione ndaj Nigerit pas grushtit të shtetit dhe Franca ka deklaruar se mbështet përpjekjet e ECOWAS për të sjellë në pushtet Bazoum – një aleat i Parisit. Megjithatë, qeveria franceze nuk ka deklaruar në mënyrë të qaratë nëse mbështet ndërhyrjen e drejtpërdrejtë ushtarake.