Vendosni fjalën kyçe....

Dritan Goxhaj denoncoi mashtrimin e BIRN me trafikun e organeve: U porosit nga Beogradi, ja gazetari që mori azil në Kanada


Gjatë luftës së Kosovës, Dritan Goxhaj iu bashkua UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit. Ai iu bashkua luftës me të atin, Dilaver Goxhaj që njihej në luftë si komandant Golemi dhe ishte zëvendës.shef i Shtabit të UÇK-së.

Të dy shkuan vullnetarisht në luftë, por pas 24 vitesh Dritani është arrestuar me urdhër të Gjykatës Speciale.

Para tij kanë përfunduar në pranga politikanë të lartë të Kosovës, mes tyre komandantët e luftës, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët vijojnë ende të jenë në qeli.

Gjykata Speciale njoftoi se Goxhaj akuzohet se ka frikësuar dhe penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.

“DHSK-ja kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e z. Goxhaj dhe dorëzimin e tij në DHSK, mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga një gjykatës i DHSK-së në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare” thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Avokati i tij tha se akuza me të cilën përballet Goxhaj është ajo e frikësimit të dëshmitarëve të fshehtë, që në procesin që po zhvillohet në Hagë mbahen të fshehtë, me iniciale.

Konstatoj duar të zgjatura të Serbisë për t’i çuar luftëtarët e UÇK në gijotinë. Më tej do të shikojmë kërkesat për ekstradim”, ka thënë avokati pas arrestimit të policisë së Tiranës.

Në fakt, Goxhaj nuk ka pasur komplekse t’i përmendë emrat e dëshmitarëve të fshehtë. Pak kohë më parë, gjatë një interviste në Euronews, ai tha se një prej këtyre dëshmitarëve është Altin Raxhimi, gazetar i BIRN, që është edhe bashkëautor i shkrimit për “Shtëpinë e verdhë” që u përdor më pas nga Karla del Ponte dhe Dick Marty për ngritjen e akuzave për UÇK-në.

Gjatë emisionit të datës 3 Prill të këtij viti, Goxhaj u shpreh se shkrimi i BIRN për trafikun e organeve ishte i porositur nga Beogradi dhe se gazetari kishte përfituar azil politik në Kanada.

“E gjitha ka nisur mbi bazën e një shkrimi të bërë nga gazetarët e Birn. Në atë kohë gazetarë Birn nuk kishte për Shqipërinë, por paguhej direkt nga Beogradi dhe shkrimin e ka bërë një amerikan dhe një shqiptar.

Shqiptari është Altin Raxhimi i cili bëri këtë shkrim ku tha se janë arrestuar dhe mbajtur nga UÇK-ja në Kukës në këtë fabrikë 19 shqiptarë dhe për këtë shkrim që bëri ky zotëria ka përfituar dhe azil politik sot në Kanada dhe është dhe dëshmitar i fshehur dhe i mbrojtur i Prokurorisë Speciale kundër gjyqit që do të fillojë sot kundër personave të akuzuar. Këtë shkrim e ka marrë prokuroria e UMNIK-ut dhe ka nisur një proces gjyqësor në vitin 2009 mbi bazën e këtij shkrimi,” – u shpreh Goxhaj.

Ky është autori i BIRN, i denoncuar nga Goxhaj

Po ashtu, në një shkrim me titullin “Mëmëdheu, UÇK-ja dhe gjykata speciale” ish-oficeri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dritan Goxhaj ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve që mbahen të fshehtë nga Gjykata Speciale.

Mes tyre ai ka përmendur edhe Nazlie Balën, e cila njëkohësisht është këshilltare e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dëshmitare të mbrojtur të Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Goxhaj në shkrimin autorial “Mëmëdheu, UÇK-ja dhe gjykata speciale”, i cili është publikuar në disa media të Kosovës ka shkruar se Balaj është e afërme e njërit prej viktimave për të cilin është dënuar nga Gjykata Speciale ish-eprori i UÇK-s, Salih Mustafa.

“Dëshmitari i tretë, edhe ky i mbrojtur dhe i fshehur, quhet Nazlie Balaj”, pretendon ish-oficeri i UÇK-së, në shkrimin e publikuar në KosovaPress,.

Kjo është këshilltare e Ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës. Përveç faktit që është e afërme e viktimës, askush nuk i bie dot në fije se si ka mundur kjo të jetë dëshmitare për një ngjarje të cilën ajo vetëm e ka dëgjuar”, vazhdon ai.

Këto emra që ka nxjerrë në publik Goxhaj, kanë sjellë reagimin e prokurorëve të Gjykatës Speciale.

 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e DITA