Vendosni fjalën kyçe....

Ministria bjelloruse po përgatitet për gatishmëri në rast lufte


Ministria e situatave emergjente të Bjellorusisë po përfundon armatosjen dhe stërvitjen ushtarake të personelit të saj për të qenë gati për të ndihmuar Ministritë e Mbrojtjes dhe ato të Brendshme në rast të një konflikti të armatosur, tha të hënën kreu i Ministrisë së Emergjencave.

Ministri i Emergjencave Vadim Sinyavsky tha për televizionin shtetëror ‘Belarus 1’ se punonjësit do jenë të gatshëm të ndihmojnë ministritë ‘në rast të një konflikti të armatosur ose trazirave në të cilat duhet të përfshihet një numër i konsiderueshëm i personelit’.

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko tha në fillim të këtij viti se dëshiron që ‘çdo qytetar të jetë në gjendje të paktën të përdorë armët për t’iu përgjigjur një akti agresioni’.

Ndërsa nuk dërgoi trupat e tij në Ukrainë, Lukashenko lejoi Moskën të përdorte territorin bjellorus për të nisur pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Bjellorusia dhe Rusia që atëherë kanë mbajtur stërvitje të shumta të përbashkëta stërvitore ushtarake dhe në qershor Lukashenko lejoi që vendi i tij të përdoret si bazë për armët bërthamore të Moskës, një veprim i dënuar gjerësisht nga Perëndimi.

Lukashenko është takuar shpesh edhe me presidentin rus Putin, me udhëtimin e fundit dyditor të presidentit bjellorus në Moskë që përfundoi të hënën, ku të dy liderët folën për ‘partneritetin strategjik’.