Vendosni fjalën kyçe....

Biden rikthen shefin e CIA-s në kabinetin qeveritar


Presidenti Biden gradoi të premten William J. Burns, drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), për t’u bërë anëtar i kabinetit të tij, duke përmendur punën e agjencisë në ofrimin e ‘inteligjencës së duhur, e bërë me ndershmëri dhe integritet’ për Kinën, konfliktin Rusi-Ukrainë dhe teknologjitë në zhvillim, shkruan NY Times.

“Bill më ka dhënë gjithmonë një analizë të qartë dhe të drejtpërdrejtë që i jep përparësi mbrojtjes dhe sigurisë së popullit amerikan, duke pasqyruar rolin integral që CIA luan në vendimmarrjen tonë të sigurisë kombëtare në këtë kohë kritike”, tha Biden në një deklaratë.

Burns, një diplomat veteran me një karrierë prej më shumë se tre dekadash, ka qenë një lojtar kyç në përpjekjet e administratës për të penguar pushtimin rus të Ukrainës. Ai udhëtoi për në Moskë përpara pushtimit dhe ka qenë në Kiev disa herë që nga fillimi i luftës për të biseduar me udhëheqësit e vendit.

Pozicioni i drejtorit të CIA-s kishte qenë në nivel kabineti deri në vitin 2005, kur u krijua posti i drejtorit të inteligjencës kombëtare pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Duke filluar nga ai vit, drejtori i inteligjencës kombëtare, jo ai i CIA-s ka shërbyer në kabinet.

Ish-presidenti Donald J. Trump e ndryshoi atë në vitin 2017, duke i vendosur të dy drejtorët e inteligjencës në kabinetin e tij. Por Biden e ndryshoi përsëri kur mori detyrën në vitin 2021. Me vendimin e tij të premten, të dy pozicionet janë sërish në kabinet.

Statusi i ri, i cili është kryesisht simbolik dhe nuk pritet të shtojë ndonjë përgjegjësi të re për Burns, është një rritje e besueshmërisë për agjencinë pasi u kritikua ashpër për dështimet e inteligjencës përpara sulmeve terroriste dy dekada më parë.

Në deklaratën e tij, Biden vlerësoi punën e agjencisë dhe tha se Burns, së bashku me Avril D. Haines, drejtoren e tanishme të inteligjencës kombëtare, kanë ofruar informacione që i japin vendit ‘një përparësi strategjike të rëndësishme’ në politikën e tij të jashtme.

“Nën udhëheqjen e tij, CIA po ofron një qasje të qartë dhe afatgjatë ndaj sfidave kryesore të sigurisë kombëtare të kombit tonë”, tha Biden.

Burns filloi në Shërbimin e Jashtëm në fillim të viteve 1980 dhe ka qenë një lojtar në politikën e jashtme amerikane që atëherë, duke u shërbyer presidentëve nga të dyja palët.

Ish-presidenti Xhorxh W. Bush e bëri atë ambasador në Rusi në vitin 2005 dhe ai shërbeu në poste të larta në Departamentin e Shtetit për ish-presidentin Barack Obama.

Në vitin 2013, Burns ishte një zyrtar kryesor i administratës së presidentit Obam që drejtonte bisedimet sekrete me Iranin për të arritur një marrëveshje që do të kufizonte programin bërthamor të Iranit. Më vonë ai u tërhoq nga qeveria për t’u bërë president i Institutit Carnegie për Paqen Ndërkombëtare.

Përveç luajtjes së një roli kyç në konfliktin Rusi-Ukrainë, Burns udhëtoi gjithashtu në Afganistan për t’u takuar me udhëheqësit talebanë, ndërsa administrata ndoqi premtimin e presidentit Biden për të tërhequr trupat nga vendi dhe për t’i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Times

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani