Vendosni fjalën kyçe....

Balliu: 80 mijë euro në ditë paguhen për aferën korruptive të inceneratorëve, SPAK ka bërë katastrofë me dosjen


Sekretari Organizativ i Rithemelimit të PD-së Klevis Balliu tha sot se çështja e inceneratorëve është afera e qeverisë dhe se kryeministri Rama ka firmën e tij në të.

Në një intervistë për rubrikën Opinion në News24, ish-deputeti i PD-së tha se pagesat për inceneratorët nuk ndalojnë edhe pse Mirel Mërtiri e Klodian Zoto janë në kërkim, pasi llogaritë bankare të tyre janë në fakt të Edi Ramës e Erion Veliajt.

Balliu po kështu tha se SPAK ka bërë katastrofë me hetimet pasi pjesë e hetimeve duhet të ishin të gjithë të përfshirë në një dosje të vetme.

Balliu tha se për inceneratorët paguhen 80 mijë euro në ditë për një aferë korruptive duke i bërë thirrje SPAK që të ndalë krimin.

“Afera e inceneratorëve është aferë e një qeverie. Edhe vetë Edi Rama e ka firmën në aferën e inceneratorëve. Llogaritë bankare të Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos janë llogaritë e Edi Ramës dhe Erion Veliajn ndaj edhe nuk ndalojnë pagesat. SPAK ka bërë një katastrofë sepse nuk mund të ndash inceneratorët, pasi është i njëjti grup kriminal, janë të njëjtit që veprojnë. Duhet të ishin në një hetim, në një dosje. Sa kohë nuk shohim që të ndalojnë pagesat për inceneratorët, patjetër që kjo është e qëllimshme. Pasuritë e atyre që kanë vjedhur paratë e qytetarëve që kanë blerë shtëpia apo janë pasuruar, duhet t’i kthehen qytetarëve, se rrinë në burg apo jo, kjo nuk është çështje e opozitës është çështje e gjykatës. Zv.kryeministri ka ikur në drejtim të paditur dhe ky është një rast unikal. Jemi populli që paguajmë 80 mijë euro në ditë për një aferë korruptive. SPAK duhet të ndalojë krimin dhe sa kohë nuk ndalon nuk mund ta quaj sukses.” – tha Balliu.