Vendosni fjalën kyçe....

Abakarov shkon në finalen e Hungarisë, i siguron Shqipërisë një tjetër medalje në mundje


Zelimkhan Abakarov, çeçeni i natyralizuar si shqiptar, ka shkuar në finalen e eventit “Polyak Imre dhe Varga Janos Memorial” që po zhvillohet në Budapest, duke i siguruar Shqipërisë kështu një tjetër medalje në mundje.

Abakarov ka mundur në gjysmëfinale kazakun Vladimir Kudrin, me këtë të fundit që ka dalë nga tapeti duke çaluar. Ndeshja ishte e luftuar deri në çastet e fundit, teksa Abakarov u tregua i vëmendshëm dhe goditi në pikat kyçe kundërshtarin. 12-6 për sportistin kuqezi, që shkon në finalet e peshës deri në 61 kilogramë në stolin e lirë.

Tanimë Abakarov ka në dorë nëse do dëgjohet himni kuqezi në Hungari, në të kundërt do kënaqet me medaljen e argjendtë. Kampioni i Evropës në fuqi ende nuk e ka mësuar kundërshtarin e finales, duke shpresuar për të artën.

Kujtojmë se dje për kategorinë deri në 65 kilogramë në stilin e lirë, sportisti që përfaqëson ngjyrat kuqezi, Islam Dudaev fitoi medaljen e bronztë , duke zënë vendin e tretë.