Vendosni fjalën kyçe....

Firma kundër zgjedhjeve në PD më 29 korrik, Korreshi: Nëse s’bashkohemi, Rama merr 100 deputetë


Një grup deputetësh në PD po synojnë të mbledhin sërish Këshillin Kombëtar të PD me qëllim frenimin e procesit të zgjedhjes së kryetarit të partisë në 29 Korrik.

Saimir Korreshi është një nga 7 deputetët nismëtarë që do kontaktojnë çdo anëtar të Këshillit, me qëllim zhvlerësimin si jolegjitim të Këshillit të mbledhur pak ditë më parë nga mbështetësit e Lulzim Bashës.

Në emisionin ‘Pa Censurë’, Saimir Korreshi i tha gazetares Elona Meço se kjo ishte një mbledhje manipuluar.

“Synojmë të rimbledhim Këshillin Kombëtar siç ka qenë kur u zgjodh nga Kuvendi, në Korrik 2021. Ajo listë ndodhet në Gjykatën e Tiranës. Kemi kërkuar kopje për ta marrë në mënyrë zyrtare. Pasi në mbledhjen e pak ditëve më parë u hoqën, s’dihet sesi dhe nga kush, 170 antarë dhe janë komanduar 41 kryetarë degësh. Ky Këshill Kombëtar është i manipuluar, si dhe i janë marrë kompetencat Sekretarit të Përgjithshëm.” – u shpreh Korreshi, i cili beson se ky proces mund të zgjasë rreth 2 javë, pasi do kontaktohet çdo anëtar, pavarësisht se cilën palë mbështet.

Por cilin Këshill do njohë gjykata, nëse secila palë thotë se e ka mbledhur Këshillin?

Saimir Korreshi ka një përgjigje direkte.

“Këshillin që ka të administruar zyrtarisht” – tha ai për emisionin “Pa Censurë”, duke iu referuar Këshillit të votuar në Kuvendin e Korrikit 2021, përbërja e te cilit gjendet e depozituar në gjykatë. Saimir Korreshi beson se vetëm duke u bashkuar, PD ka shans të ringrihet. Dhe bashkimi sipas tij nuk realizohet përmes atyre që janë në konflikt.

“Çështja është a do ta bëjmë PD një forcë të madh dhe fituese apo do ta lëmë që të jetë një parti që bën deputet kryetarin dhe 3-4 të tjerë? Siç është bërë tani, në 2025 maksimumi fiton 5 deputetë. Prandaj,

Sali Berisha, Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj nuk duhet të kandidojnë më si kryetar. A duhet të jenë pjesë? Patjetër, por opozita nuk duhet trajtuar si pronë. PD dhe të gjithë copëzat që janë duhet të hyjnë në një proces, një hap pas Berisha, një hap pas Basha. Duhet një rifreskim, sepse kështu Rama mund të marrë 100 deputetë. PD, po nuk u bashkua, nuk ka gjë në terezi.” – tha deputeti demokrat Saimir Korreshi në emisionin “Pa Censurë”.