Vendosni fjalën kyçe....

SHBA, sanksione ndaj dy spiunëve rusë, tentuan të ndërhyjnë në zgjedhje


 

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të premten ndaj dy agjentëve të shërbimeve sekrete ruse për përpjekje për të ndërhyrë në një proces zgjedhor në nivel lokal në SHBA, pjesë e “fushatave të ndikimit keqdashës global” të Rusisë. Në njoftimin e Departamentit të Thesarit thuhej se dy agjentët, Yegor Sergeyevich Popov dhe Aleksei Borisovich Sukhodolov, të dy pjesëtarë të Shërbimit rus të Sigurisë, përmes një rrjeti komplotistësh, ishin përpjekur të minonin proceset demokratike në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Ata kishin bashkëpunuar me shtetasin rus Aleksandr Viktorovich Ionov, i cili vitin e kaluar, u akuzua nga Departamenti i Drejtësisë se kishte bërë përpjekje disa vjeçare për të përdorur grupe politike në Florida, Xhorxhia dhe Kaliforni për të ndërhyrë në zgjedhje.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë kërcënimin e demokracisë dhe veprimet e sotme janë në vazhdën e angazhimit të qeverisë për të mbrojtur sistemin e një qeverisjeje përfaqësuese”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Zbulimin Financiar, Brian Nelson.

Departamenti i Thesarit nuk dha informacion se në cilat zgjedhje janë përpjekur të ndërhyjnë dy shtetasit rusë./ VOA.