Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri i Kroacisë viziton Serbinë


Kryeministri kroat Andrej Pllenkoviç ka arritur në Serbi, më 23 qershor.

Në Mitrovicë të Sremit ai është takuar me peshkopin e Sremit, Fabijan Svalin.

Pllenkoviq, nga Mitrovica e Sremit do të shkojë në Suboticë, ku do të takohet me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç.

Pllenkoviç dhe Bërnabiç, me delegacionet e tyre, do të marrin pjesë në hapjen e Shtëpisë Kroate – Amëza (Matica) në Suboticë.

Në takimin e kryeministrave të Kroacisë dhe Serbisë do të marrin pjesë ministri serb për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Tomisllav Zhigmanov dhe ministrja për Integrime Evropiane, Tanja Mishçeviç, njoftuan nga Qeveria në Beograd.

Kjo është vizita e parë e Pllenkoviqit në Serbi që kur u bë kryeministër në vitin 2016.

Marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Zagrebit i rëndojnë çështjet e pazgjidhura edhe 30 vjet pas luftës në ish-Jugosllavi.

Të dy vendet kanë kontest lidhur me përcaktimin e kufirit në Danub dhe nuk e kanë zgjidhur çështjen e sukcesionit – trashëgimisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (SFRJ).

Ndër çështjet e hapura janë ndjekja penale e krimeve të luftës dhe gjetja e mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kroaci, gjatë viteve 1991-1995.

Më 30 prill, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, vizitoi Zagrebin, ku së bashku me Pllenkoviçin, mori pjesë në Kuvendin e madh të Këshillit Kombëtar Serb, organizatë ombrellë e pakicës serbe në Kroaci.

Asokohe, ata theksuan rëndësinë e respektimit të të drejtave dhe përmirësimit të pozitës së minoritetit serb në Kroaci dhe minoritetit kroat në Serbi, si dhe paralajmëruan krijimin e një katalogu të çështjeve të hapura ndërmjet dy vendeve, me qëllim vazhdimin e zgjidhjes së tyre.

Në shkurt të këtij viti, kryeministri Pllenkoviq dhe presidenti serb Alleksandar Vuçiq u takuan në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku thanë se dëshironin marrëdhënie më të mira.

Vuçiç nuk ka qenë në vizitë zyrtare në Zagreb që nga viti 2018, kur u prit në kryeqytetin kroat nga presidentja e atëhershme Kolinda Grabar Kitarovç.

Dy vjet më herët, në vitin 2016, të dy ata nënshkruan Deklaratën për normalizimin e marrëdhënieve, në Suboticë.

Megjithatë, “normalizimi” nuk ndodhi dhe zyrtarët shkëmbyen fjalë të ashpra me njëri-tjetrin.

Gjatë vitit 2022, Vuçiq donte të bënte një vizitë “private” në Jasenovc, kompleks memorial kushtuar viktimave të krimeve ustashe nga Lufta e Dytë Botërore. Por, autoritetet në Zagreb nuk e lejuan atë, duke thënë se bëhej fjalë për vizitë të paparalajmëruar dhe në kundërshtim me protokollin.

Kjo u pasua me shkëmbim të notave diplomatike mes dy vendeve.

Kryeministri kroat Andrej Pllenkoviç mori pjesë në kremtimin e Krishtlindjeve ortodokse në janar të vitit 2023 në Zagreb, me zëvendëskryeministrin serb Ivica Daçiç.