Vendosni fjalën kyçe....

Zelenski: Përparimi i ofensivës më i ngadaltë nga sa e menduam


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, ka pranuar se përparimi në fushëbetejë ka qenë “më i ngadaltë sa do të dëshironin”, disa javë pasi ka nisur ofensiva ushtarake e Ukrainës për të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia.

“Disa njerëz besojnë se ky është si një lloj film Hollywood-i dhe presin menjëherë rezultate. Nuk është”, tha ai për BBC.

“Jetët e njerëzve janë në rrezik”, shtoi ai.

Ukraina ka thënë se gjatë kundërofensivës ka rimarrë tetë fshatra në rajonin lindor të Zaporizhjës dhe në rajonin lindor të Donjeckut.

Zelensky tha se kundërofensiva nuk do të jetë e lehtë sepse 200.000 kilometra katrorë të territorit ukrainas janë minuar nga forcat ruse.

“Çfarëdo që mund të duan disa, përfshirë edhe përpjekjet për të na bërë presion, por me gjithë respektin, ne do të përparojmë në fushëbetejë në mënyrë që ne besojmë se është më e mirë”, shtoi Zelenski.

Ai ripërsëriti nevojën që Ukrainës t’i jepen garanci të sigurisë nga NATO, por shtoi se në fund qëllimi i shtetit të tij është anëtarësimi në aleancën ushtarake perëndimore.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, javën e kaluar e bëri të qartë se nuk ka plane për ofrimin e një ftese për Ukrainën në samitin e muajit të ardhshëm që mbahet në Lituani.

“Stoltenberg e di qëndrimin tim”, tha lideri ukrainas.

Lideri ukrainas edhe njëherë tha se shteti i tij duhet të pranojë avionë amerikanë luftarakë F-16, duke shtuar se trajnimi i pilotëve për këtë avionë të nisë në gusht. Sipas tij, avionët mund të arrijnë në Ukrainë pas gjashtë-shtatë muajsh.

Kur u pyet se si e parashikon fundin e luftës – që Rusia nisi shkurtin e vitit të kaluar – Zelensky tha se “fitoret në fushëbetejë janë të nevojshme”, duke shtuar se Ukraina kurrë nuk do të ulet në një tavolinë bisedimesh në Moskë, pavarësisht se kush do të ishte president i Rusisë, nëse Rusia ende është në territorin e Ukrainës.