Vendosni fjalën kyçe....

Zbardhet rezoluta e Këshillit Kombëtar të PD: Riorganizim duke nisur me zgjedhjen e kryetarit në 29 korrik


Këshilli Kombëtar i PD-së zyrtare vendosi sot të mbajë zgjedhjet për kryetarin e Partisë në 29 korrik.

Në përfundim të mbledhjes Flutura Açka dhe Kreshnik Çollaku thanë se vendimet u morën me kuorumin e nevojshëm të anëtarëve.

Partia Demokratike zyrtare ka miratuar në mbledhjen e sotme edhe një rezolutë e cila vë theksin te riorganizimi duke nisur me zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

Një pjesë e deputetëve të grupit parlamentar e bojkotuan mbledhjen e sotme të Këshillit për shkak se mendonin që riorganizimi duhet të niste nga baza dhe të mbyllej me kryetarin e partisë.

Ndër të tjera në rezolutë thuhet se “Këshilli Kombëtar duke analizuar dhe reflektuar mbi ngjarjet dhe zhvillimet politike, mbi vendimmarrjet e munguara ose të vonuara nga organet drejtuese të Partisë Demokratike në harkun 15 muajve të fundit, konkludon se vetëm riorganizimi përmes një procesi zgjedhor transparent duke filluar me zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe organeve të tjera drejtuese e organizative i shërben dhe mundëson ringritjen e Partisë Demokratike, aksionit të saj politik dhe përgatitjen për përballjen e ardhshme elektorale.”

Përmes një deklaratë për shtyp, blutë njoftojnë edhe plotësimin e vakancave në Komisionin e Apelimit, Intergritetit dhe Etikës duke zgjedhur anëtarë: Artan Murrizi, Marinela Ziu, Edlira Devolli, Rezart Kthupi.

Ndërsa në përbërjen aktuale të këtij Komisioni, të kryesuar nga Flutura Açka, janë: Artan Murrizi, Marinela Ziu, Edlira Devolli, si dhe Rezart Kthupi.

 

REZOLUTË E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, i mbledhur sot, në 20 qershor 2023, si organi më i lartë i Partisë Demokratike midis dy Kuvendeve, në përmbushje të përgjegjësive të veta politike dhe statutore,

– Diskutoi mbi situatën në Partinë Demokratike duke vërejtur me shqetësim zhvillimet politike dhe përpjekjet për të anashkaluar dhe tejkaluar konsultimin, diskutimin dhe vendimmarrjen e Këshillit Kombëtar veçanërisht pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, 2023.

– Këshilli Kombëtar vlerëson se në këto momente përcaktuese për të ardhmen dhe ekzistencën e Partisë Demokratike është përgjegjësi e gjithsecilit, që nga anëtari më i thjeshtë e deri në organet drejtuese dhe përfaqësuese të saj, të veprojnë me pjekurinë, maturinë dhe vullnetin e duhur në shërbim të ngritjes, forcimit dhe shndërrimit të Partisë Demokratike në alternativë vlerash e parimesh që duhet të rezonojë me nevojat e shoqërisë shqiptare.

– Këshilli Kombëtar duke analizuar dhe reflektuar mbi ngjarjet dhe zhvillimet politike, mbi vendimmarrjet e munguara ose të vonuara nga organet drejtuese të Partisë Demokratike në harkun 15 muajve të fundit, konkludon se vetëm riorganizimi përmes një procesi zgjedhor transparent duke filluar me zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe organeve të tjera drejtuese e organizative i shërben dhe mundëson ringritjen e Partisë Demokratike, aksionit të saj politik dhe përgatitjen për përballjen e ardhshme elektorale.

– Këshilli Kombëtar vëren se demokratët sot më shumë se kurrë kërkojnë vetëm të dëgjohet zëri dhe vullneti i tyre përmes votës, në shërbim të zgjidhjeve më të drejta për fuqizimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike si një parti që ruan vlerat dhe parimet euroatlantike me akte, jo me fjalë, një parti në bashkëpunim dhe aleancë të plotë me partnerët strategjikë, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Europian.

– Këshilli Kombëtar për sa më sipër, në mbështetje të vendimmarjeve të Kryesisë së Partisë Demokratike ju bën thirrje të gjithë anëtarëve, drejtuesve dhe përfaqësuesve demokratë të angazhohen vendosmërisht duke i shërbyer të ardhmes së Partisë Demokratike dhe projektimit të saj si e vetmja forcë që mund të sjellë ndryshim.