Vendosni fjalën kyçe....

Federata e Futbollit të Kosovës shkarkon trajnerin Giresse, pas humbjes me Bjellorusinë


Alain Giresse më nuk është selektor i Përfaqësueses së Kosovës. Trajneri francez është larguar nga ky post të martën, një ditë pas humbjes së Kosovës nga Bjellorusia në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”.

Kosova u mposht 2:1 në Budapest për t’i zbehur edhe më shumë gjasat për kualifikim eventual në Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani.

Largimi i Giresset ka ardhur pas takimit që e kishte në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ku është diskutuar për shkëputjen e kontratës pas rezultateve jo të mira në këto kualifikime.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin që me marrëveshje të dyanshme me përzgjedhësin, Alain Giresse është vendosur për ndërprerjen e bashkëpunimit. Deri të ky vendim, vjen pas humbjes në ndeshjen e fundit kundër Bjellorusisë (1:2). Federata e Futbollit e Kosovës e falënderon trajnerin Giresse për angazhimin dhe punën e tij gjatë periudhës sa ishte në krye të Kombëtares së Kosovës. Në të ardhmen priten reforma të mëtejshme në ekipin kombëtar”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Giresse u emërua selektor i Kosovës më 23 shkurt të vitit të shkuar, ndërsa nën drejtimin e tij, “Dardanët” kanë regjistruar vetëm katër fitore në të gjitha ndeshjet e luajtura. Ai zëvendësoi zviceranin Bernard Challandes të larguar. Në 14 ndeshje të luajtura me Giressen, Kosova ka regjistruar edhe 4 humbje e 6 barazime.