Vendosni fjalën kyçe....

Shkencëtarët bëjnë parashikimin e zymtë për akullnajat e Himalajeve


Disa nga vargmalet më të njohura në botë së shpejti mund të mos njihen për shkak të shkatërrimeve të ndryshimeve klimatike, pasi shkencëtarët paralajmëruan në një raport se akullnajat e Himalajeve mund të humbin deri në 75% të akullit të tyre deri në fund të shekullit.

Humbja e akullit në rajon, i cili përfshin Everestin dhe K2, u përshpejtua me 65% gjatë viteve 2010 krahasuar me dekadën e mëparshme, sipas raportit të publikuar së fundmi nga Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Integruar Malor (ICIMOD) në Katmandu. Kjo mund të çojë në përmbytje shkatërruese të ndjekura nga thatësira e madhe që prek 240 milionë njerëz që jetojnë në zonat përreth.

Himalaja Hindu Kush shtrihet 2,175 milje (3,500 kilometra) në të gjithë Afganistanin, Bangladeshin, Butanin, Kinën, Indinë, Mianmarin, Nepalin dhe Pakistanin.

“Ne po humbasim akullnajat dhe po i humbim ato në 100 vjet,” tha autori kryesor i raportit, shkencëtari mjedisor Phillipus Wester.

Sipas raportit, nëse temperaturat globale rriten në 1.5 gradë Celsius ose 2 grë përpara niveleve para-industriale, humbja e akullnajave në rajon do jetë rreth 30-50%. Me 3 gradë rritje të ngrohjes, që përgjithësisht konsiderohet të jetë rruga që do arrijnë politikat e tanishme të klimës, akullnajat lindore të Himajalave në Nepal e Butan do humbasin 75% të akullit të tyre.

Temperaturat globale për vitet midis 2023 dhe 2027 parashikohen të jenë midis 1.1 dhe 1.8 gradë Celsius më të ngrohta se mesatarja e viteve 1850-1900, thotë Organizata Botërore Meteorologjike.

“Në të tre shtyllat e veprimit klimatik – në zbutjen, përshtatjen, humbjen dhe dëmtimin – ne jemi në ngecje ose po shkojmë në rrugën e gabuar,” thotë në raport eksperti i klimës, Profesor Saleemul Huq. “Pasojat e mosveprimit po përshpejtohen nga dita në ditë.”

Raporti paralajmëroi gjithashtu se rrjedhat e ujit akullnajor në 12 pellgjet e lumenjve të rajonit ka të ngjarë të arrijnë kulmin nga mesi i shekullit. Kjo do kishte pasoja të rënda për 1.6 miliardë njerëz që varen nga kjo për t’u furnizuar me ujë, pasi burimet thahen, duke çuar në mungesë të ujit të pijshëm dhe probleme me ujitjen e të korrave dhe mirëmbajtjen e bagëtive.

Disa qeveri botërore kanë filluar të ndërmarrin veprime për të zbutur në të ardhmen mungesën e ujit të shkaktuar nga ndryshimet klimatike.

Në maj, Pekini zbuloi planet për një rrjet të rishikuar të ujit të krijuar për të reduktuar rrezikun nga përmbytjet dhe thatësirat, ndërsa Pakistani ka projektuar sisteme paralajmërimi për të alarmuar për përmbytjet e shpërthimit të liqeneve akullnajore.