Vendosni fjalën kyçe....

Policia jep detajet, nëntë gazetarë e kameramanë u sulmuan dje në Leposaviç


Policia e Kosovës ka dhënë detaje mbi sulmin ndaj gazetarëve  ditën e djeshme në Leposaviç u sulmuan nëntë gazetarë e kameramanë.

Ata janë sulmuar nga një grup i protestuesve derisa ishin duke kryer detyrën gjatë vizitës së Ministrit Elbert Krasniqi në Komunën e Leposaviqit.

Sipas Policisë, viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor në stacionin policor në Leposaviç.

“Njëri nga viktimat dyshohet të ketë lëndime të rënda (frakturë në dorë) është udhëzuar për trajtim të mëtutjeshëm”, ka njoftuar Policia.

Përveç sulmit, të dyshuarit kanë marrë edhe një telefon celular nga një gazetare dhe një kamerë të RTK-së.

Njoftimi i plotë:

Nëntë persona (pesë meshkuj dhe katër femra) gazetarë e kameraman janë sulmuar fizikisht nga një grup i protestuesve derisa ishin duke kryer detyrën gjatë vizitës së një ministri të qeverisë në komunën e Leposaviçit. Viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit kanë pranuar trajtim nga ekipi mjekësor në stacionin policor në Leposaviç. Njëri nga viktimat dyshohet të ketë lëndime të rënda (frakturë në dorë) dhe i njëjti është udhëzuar për trajtim të mëtutjeshëm. Përveç sulmit të dyshuarit kanë marrë nga një gazetare një telefon celular dhe një kamerë të RTK-së. Rasti është iniciuar në konsultim me prokurorin dhe mbetet në hetime të mëtutjeshme”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka njoftuar se ekipet e gazetarëve nga Prishtina “kanë qenë cak i një sulmit brutal” nga protestuesit në Leposaviq, derisa ata po kryenin punën e tyre.

Sipas AGK-së, kameramani i shërbyesit publik, Radio Televizionit të Kosovës, Bardh Bekteshi është sulmuar fizikisht dhe ka marrë lëndime të rënda në kokë e trup.

“Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Ky asociacion ka publikuar dhe një video ku shihet sulmi ndaj gazetarëve në Leposaviq.

Sipas një deklarate për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit i kanë gjuajtur me gurë ekipet e mediave, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.

“Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup””, ka thënë Xhoxhaj për AGK-në.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i bënë thirrje urgjente Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar në atë komunë”, thuhet në reagimin e AGK-së, e cila e ka dënuar ashpër sulmin.

AGK-ja ka njoftuar se lëndime trupore ka marrë edhe Albin Rrahmani, kameraman i Tëvë1.

“Në mesin e gazetarëve të lënduar është edhe kameramani Albin Rrahmani, i cili ka pësuar lëndime në këmbë. Aktualisht, ekipi është duke dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës”, ka thënë AGK -ja.

Ky asociacion ka njoftuar se në mesin e të lënduarve është edhe gazetari i Arbresh.info, Pleurat Salihu, të cilit sulmuesit ia kanë thyer krahun. Ndërkaq, gazetarja e RTV Dukagjinit, Dorentina Thaqi, është sulmuar me gurë në kokë.

Gazetarët e lënduar, sipas AGK-së, kanë marrë ndihmën e parë mjekësore sapo kanë arritur të dalin nga, siç e kanë quajtur “zona e rrezikut”.

Në njoftimin e saj, AGK-ja gjithashtu ka theksuar se sulmi ndaj gazetarëve në Leposaviq, ka ndodhur , në prani të trupave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“…të njëjtit nuk kanë reaguar, por i kanë penguar gazetarët të ikin”, ka thënë AGK-ja, duke shtuar se kërkon nga KFOR-i që të mos i pengojnë gazetarët gjatë raportimit, “meqë siguri nuk po ju ofrojnë”.

AGK-ka ka thënë se për të gjitha sulmet ndaj gazetarëve, të cilat kanë ndodhur gjatë raportimeve të tyre nga veriu i vendit, do t’i informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.