Vendosni fjalën kyçe....

Termocentrali 170 MW i GEK Terna dhe Gener 2, dorëzohet VNM-ja për projektin e Fierit


Projekti për një termocentral me gaz në zonën e Fierit, ku ndodhet një nga pikat e daljes së gazsjellësit TAP, ka kaluar në një tjetër fazë.

Pranë institucioneve shqiptare është dorëzuar përmbledhja joteknike e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për projektin me kapacitet të instaluar 170 MW, një nga kushtet kryesore për të marrë miratimet e nevojshme dhe lejet.

Shoqëria FIER THERMOELECTRIC‘‘ SHA ka nënvizuar në dokumentin e dorëzuar se synon te zhvillojë projektin e ndërtimit dhe funksionimit te Termocentralit me Turbinë Gazi me Cikli të Kombinuar (ÇGT), me gaz natyror si lëndë djegëse, me kapacitet 170 MW, me një teknologji moderne të prodhimit të energjisë me efikasitet të lartë 57% me ngarkesë maksimale.

“Vendndodhja e impiantit do të jetë në zonën e Roskovecit pranë Fierit në Shqipëri dhe pranë Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) dhe pranë Rrjetit Elektrik të Tensionit të Lartë.

Zhvillimi i këtij projekti dhe veprimet e mbështetura prej tij do të sjellin një rritje të prodhimit të energjisë elektrike dhe do të diversifikojë prodhimin vendas. Paralelisht, ajo do të përmirësojë ekuilibrin në prodhim midis hidrocentraleve dhe burimeve të rinovueshme të energjisë dhe do të ketë një siguri të mbrojtur furnizimi për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë me Gazsjellësin Trans Adriatic” thuhet në dokument.

Termocentrali do të projektohet për 25 vjet funksionim dhe energjia e prodhuar parashikohet të dërgohet në Rrjetin Kombëtar të Transmetimit nëpërmjet një nënstacioni gazi të izoluar (GIS).

Furnizimi dhe burimi i gazit natyror i ALBANIA ÇGT sipas dokumentit është tashmë plotësisht i mbrojtur për shkak të marrëveshjes së nënshkruar, në Shkurti 2022, midis GEK TERNA (në emër të ALBANIA ÇGT) dhe Korporatës Publike të Gazit të Greqisë (DEPA) për furnizimin nga Korporata Publike e Gazit të Greqia tek Albania/Shqipëria ÇGT rreth 2,0 TW/vit gaz për një periudhë prej të paktën shtatë (7) vjetësh, e dorëzuar në Pikën e Ndërlidhjes ABV31 të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) në ROSKOVEC, sipas kushteve te tregut dhe kontratës.

Sipas dokumentit projekti është i vendosur në një zonë të distancuar nga banesat ndërkohë që gjendet në afërsi me burimet ujore sipërfaqësore,cLumin Seman dhe konkretisht rreth 890 m larg në distance ajrore nga bregu i lumit.

Shoqëria Fier Thermoelectric u regjistrua në tetor të vitit të shkuar dhe ka si aksionerë GEK TERNA Holdings, Real Estate & Constructions Societe Anonyme me 70 për qind të aksioneve dhe Gener 2 me 30 për qind të tyre. /N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor