Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama e nxori draftin për Asociacionin nga sirtarët e Beogradit


Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit lëshoi akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama sa i takon qëndrimeve të këtij të fundit për tensionet në Kosovë.

Berisha tha se Rama me paraqitjen e draftit për asociacionin ndërhyri në punët e brendshme të Kosovës për të shpëtuar veten nga hetimi i dosjes Mc Gonigal.

Sali Berisha akuzon Ramën se mban anën e presidentit Vuçiç.

Kosova është vend i pavarur me qeveri legjitime. Shqipëria nuk duhet të përzihet në dialog. Nëse përzihet qëndron në anën e Kosovës, në rastin e Ramës ai qëndron në anën e Vuçiç dhe nuk ka shqiptar që beson në qëllime të tjera përveçse për të ndihmuar me çdo kusht e çdo mënyrë padronin e tij.

Ky zotëri për arsye të cilat i di ai vetë pas vizitës në Serbi u bë një zëdhënës i neveritshëm, avokat i turpshëm i projekteve të Serbisë së madhe.

Projekti i asociacionit ishte ndërhyrja më brutale në çështjet e brendshme të Kosovës, akt antishqiptar. E konsideroi Kosovën vend vasal. Anuloi takimin me qeverinë e Kosovën pasi ajo nuk pranoi të diskutojë draftin e marrë në sirtarin e Vuçiç.

Rama e bëri këtë jo vetëm si shërbim ndaj Beogradit, por sepse korriku po vjen, Është në hetim për aferën e McGonigal. Tani është i gatshëm të kryejë çdo akt vetëm që të lehtësojë pozitën e tij të pashpresë.

1 muaj më parë dosja e McGonigal që kishte në përmbajtje ryshfetin për të shkrirë opozitën shqiptare është shkrirë me dosjen ruse.

Ata që e sollën janë në dosjen Deripaska. Rama ka humbur, nuk vjen dot as këtu. Kur del në media, del sterrë i zi, del i shfazuar, nuk di se çfarë flet. Kur flasim për Kosovën, duhet të flasim për mosndërhyrje në punët e saj të brendshme për interesa personale e të Vuçiç.

Rrëmbimi i 3 policëve është në shkelje të marrëveshjes se Serbisë me NATO. KFOR dhe autoritetet ndërkombëtare të ndërhyjnë për të liruar policët e rrëmbyer dhe dënimin e atij që sillet si fqinj zuzar që nuk njeh ligj të brendshme e ndërkombëtar, Vuçiçit, që është faktori kryesor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e Ballkanit”-deklaroi Berisha.