Vendosni fjalën kyçe....

“Të përbashkuar në Gjakovë” – Mosmarrëveshjet Rama-Kurti që anuluan mbledhjen e përgatitur të dy qeverive


Vetëm një ditë para, mosmarrëveshjet mes Kryeministrave Rama-Kurti për situatën në veri të Kosovës bënë që mbledhja e përbashkët të anulohej.

Në Gjakovë, gjithçka ishte bërë gati dhe më 14 qershor do priste kabinetet qeveritare të Kosovës dhe Shqipërisë.

Nën moton “të përbashkuar në Gjakovë” rezultoi në të ndarë në qëndrime mes krerëve të qeverisë që shtyn kështu firmosjen e 13 marrëveshjeve në fusha të ndryshme që do nënshkrueshin midis ministrive përkatëse.

Kryeministri Rama njoftoi se i kërkoi Kurtit që në kushtet e tensionit dhe presionit ndërkombëtar për situatën në veri të Kosovës të zhvillonte një takim më të ngushtë vetëm mes ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes së dy vendeve.

Ky propozim për të mos zhvilluar mbledhjen e gjerë mes dy qeverive nuk është pranuar nga Albin Kurti.

Më 13 qershor, Kurti duke kundërshtuar propozimin e Ramës, ende jo publik dhe të pakonsultuar me Kosovën, për asociacionin e Komunave me shumicë serbe, i kërkoi kreut të qeverisë shqiptare që ti bënte një propozim të tillë Presidentit Vuçiç për komunat me shumicë shqiptare në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë.

Jo pak herë Rama dhe Kurti kanë pasur qëndrime të kundërta dhe janë përplasur në distancë me njëri tjetrin sidomos për qëndrimet në arenën ndërkombëtare dhe raportin Serbi-Kosovë apo edhe Ballkanin e Hapur./Hashtag.al