Vendosni fjalën kyçe....

Replika/ Vuçiç hedh poshtë propozimin e Ramës për Asociacionin: S’është i autorizuar


Presidenti serb Vuçiç ka hedhur poshtë propizimin e kryeministrit të Shqipërisë Rama për draftstatutin e Asociacionit të komuave me shumicë serbe.

Në një intervistë për televizionin serb ‘Tv Happy’, ai tha se megjithë respektin për Ramën, ky i fundit nuk ka të drejtë të bëjë një propozim të tillë duke qenë se nuk është pjesë e ekipit menaxhues dhe nuk është i autorizuar për të bërë propozime.

“Me sa di unë, Edi Rama nuk është anëtar i Ekipit Drejtues Serb. As kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili duket se dëshiron të bëhet pjesë e atij ekipi, pasi edhe ai ka diçka të shkruar, por nuk ka të drejtë ta ketë të shkruar.” – tha Vuçiç.

Edhe kryeministri i Kosovës Kurti e hodhi poshtë draftstatutin e Ramës për Asociacionin duke thënë se meqë kryeministri i Shqipërisë beson se propozimi i tij është i mirë, mund t’ia paraqesë presidentit serb për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.

“Nuk kam dyshim se Rama beson që propozimi i tij është i mirë dhe duke qenë kështu atëherë ajo që unë propozoj është ë kryeministri Edi Rama këtë draft statut t’ia prezantojë Vuçiçit në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur për shqiptarët në Preshevë dhe Bujanoc. Nëse e mendon si diçka të mirë le t’ia bëjë si propozim për shqiptarët që ndodhen atje. Duke besuar në atë që beson kryeministri Edi Rama, në vend që të propozojë në Paris e Berlin, t’ia propozojë Beogradit për Bujanocin, Medvegjën e Preshevën.” – tha Kurti.

Pak ditë më parë, kryeministri Rama pohoi se i kishte paraqitur presidentit francez Macron e kancelarit gjerman Scholz një draftstatut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ndërsa nuk ka shumë hollësi mbi përmbajtjen, kryeministri tha se ai ishtë përgatitur nga eksperte amerikanë të nivelit të lartë.

Ditën e djeshme, në festën për 32-vjetorin e PS-së, Rama përsëriti se ai dhe Albin Kurti kanë të njëjtin qëllim, por rrugë të ndryshme për arritjen e tij duke theksuar se propozimi i tij është kontribut për paqen në rajon.