Vendosni fjalën kyçe....

U kap me mina telekomandë dhe armë zjarri, arrestohet 66-vjeçari në Lezhë (Video)


Policia e Lezhës ka zhvilluar një operacion policor ku ka arrestuar një person për prodhim minash me telekomandë, për t’ia shitur në qarkun Lezhë, shtetasve apo grupeve që kryenin veprimtari kriminale, për t’i përdorur për krime ndaj personit.

Policia sekuestroi 3 mina me telekomandë, 2 armë zjarri, 40 kallëpe tritoli, 45 kapsolla detonatore, 45 krehra me fishekë dhe rreth 2 200 fishekë luftarak.

Strukturat hetimore të DVP Lezhë kanë koordinuar veprimet me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “AMONEKS”, kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë në fshatin Arrëmollë të Lurës, shtetasin:

Q.A., 66 vjeç, banues në Arrëmollë, Lurë.

Ky shtetas prodhonte mina me telekomandë, siguronte municion të konsiderueshëm luftarak dhe armë zjarri, me qëllim shitjen e tyre në qarkun Lezhës, për llogari të personave apo grupeve që kryenin veprimtari kriminale.

Në momentin e arrestimit të këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh, municion luftarak, mina me telekomandë, kapsolla detonatore, lëndë eksplozive etj.

Strukturat hetimore të DVP Lezhë, në bashkëpunim me ato të DVP Dibër dhe Prokurorinë, po vijojnë veprimet e thelluara hetimore, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.