Vendosni fjalën kyçe....

Salianji: Basha u shërben agjendave okulte që duan të dëmtojnë opozitën


Deputeti i PD-së Ervin Salianji pohoi sot se rikthimi i Lulzim Bashës është për interesat e tij personale  dhe për t’i shërbyer Edi Ramës.

Sipas Salianjit, Basha duhet të largohet e të lërë demokratët të bashkohen.

Ai theksoi se Bashës i janë dhënë të gjitha mundësitë nga demokratët, duke e bërë atë përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet partia.

Salianji tha për Bashën se u shërben agjendave okulte që duan të dëmtojnë opozitën.

“Thellësisht për interes personal. Logjika më çon se është për t’i shërbyer Edi Ramës, për t’i vendosur një barrierë tjetër bashkimit të demokratëve. Ndërkohë që demokratët janë detyruar të ulen të bashkëpunojnë me kolegë të PS në komisione, sot deputetet e dalë nga lista nuk ulen me njëri tjetrin. Nuk ka një interes për të ndihmuar demokratet. Nuk duhet marrë seriozisht fare, për ta thënë në mënyrë metaforike. Është si dikush që zgjohet nga gjumi kap play station-n dhe mendon se do luajë. 20 njerëz i mbledh edhe militanti më fundor. Mund t’i mbledhë dhe të thotë do jem shpëtimtari. Po t’ju them unë që ai do jetë shpëtimtari, ju nuk do e mbani dot të qeshurën.

Këtu ka vetëm një gjë. Nuk është njeri që mban përgjegjësi. Ka marrë çdo benefit të mundshëm nga demokratët dhe e katandisi PD në këtë gjendje që është sot. Nëse do kishte përgjegjësi duhet ta kishte mbyllur, duhet të kishte lënë edhe mandatin e deputetit, të hynte një deputet tjetër dhe të vazhdonte punën e vet. Politika nuk është një profesion i përjetshëm. Ai dështoi në çdo betejë, por edhe në çdo nismë që ka ndërmarrë qeveria apo PD. Si do rikthehet? Një njeri që del i fundit në çdo garë, ka logon, siglën, mbështetjen ndërkombëtare dhe del i fundit. Si do ta mundësh Edi Ramën kur nuk bind dot 5 njerëz? Persona të tillë i shërbejnë agjendave okulte që duan të dëmtojnë opozitën. Opozita duhet të ridimensionohet duke mos e përfshirë fare. La bashkitë, la mandatet, la reformën territoriale dhe reformën administrative. Ka qytetarë që nuk mendojnë dot se shërbyesi kryesor i Edi Ramës ka qenë ai. Na duhet të gjejmë zgjidhje të tjera dhe të mos bëhet pengesë e të mos vendosë një barrikadë tjetër opozitës.” – tha Salianji.