Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu thotë se plani i reformës në gjyqësor është ende në tryezë


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të hënën se plani i tij i reformimit gjyqësor është ende në rendin e ditës mes përpjekjeve për të arritur një konsensus me opozitën mbi zbatimin e tij.

Duke folur për grupin parlamentar të Partisë së tij Likud, Netanyahu tha se plani i reformës në drejtësi ‘nuk ka vdekur’. Kryeministri izraelit tha më tej se po bën përpjekje për t’u përfshirë në dialog për të arritur një marrëveshje të gjerë për planin.

Deklaratat e Netanyahut erdhën ndërsa presidenti Isaac Herzog do presë një raund bisedimesh midis qeverisë dhe opozitës për të zgjidhur çështjen.

Izraeli ka qenë në trazira politike gjatë muajve të fundit lidhur me reformën gjyqësore të propozuar nga Netanyahu, e parë nga opozita si një rrëmbim i pushtetit në favor të autoritetit ekzekutiv.

Netanyahu, megjithatë, këmbëngul se plani i tij do përmirësonte demokracinë dhe do rivendoste ekuilibrin midis degëve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore të qeverisë.

Më 27 mars, Netanyahu, i cili është në gjyq për korrupsion, u përkul para presionit dhe njoftoi një ndalim të përkohshëm të planit mes protestave në të gjithë vendin.