Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky thotë se Bakhmut është ende në duart e Ukrainës


Ukraina tha të dielën se ishte ende duke luftuar për kontrollin e qytetit lindor të Bakhmutit, pasi presidenti Volodymyr Zelensky kishte thënë më herët se qyteti mbetet ‘vetëm në zemrat tona’.

I pyetur përpara një takimi me presidentin amerikan Joe Biden në Japoni nëse qyteti ishte ende në duart e Ukrainës pasi rusët thanë se e kishin pushtuar atë në tërësi, Zelenskiy u tha gazetarëve: “Unë mendoj se jo”.

Ai shtoi: “Për sot, Bakhmut është vetëm në zemrat tona.”

Sekretari i shtypit i Zelensky-t më vonë sqaroi se lideri po i përgjigjej një pjese tjetër të pyetjes.

“Pyetja e gazetarit: Rusët thanë se e kanë marrë Bakhmutin”, shkroi Sergii Nykyforov në Facebook. “Përgjigja e Presidentit: Mendoj se jo”.

Ai shtoi në gjuhën ukrainase: “Në këtë mënyrë, presidenti mohoi kapjen e Bakhmut”.

Rusia pretendoi të shtunën se kishte pushtuar plotësisht qytetin e shkatërruar lindor të Ukrainës, gjë që nëse është e vërtetë do të shënonte fundin e betejës më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës 15-mujore.