Vendosni fjalën kyçe....

Gjekmarkaj mbështet Xhemal Bushatin: Shkodra nuk gabon, ndërgjegjja e saj është aleati yt, je një qëndrestar i PD-së në çdo stinë


Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka shprehur mbështetjen e tij për kandidatin për qytetin e Shkodrës Xhemal Bushatin. Përmes një postimi në “Facebook”, Gjekmarkaj u kërkon qytetarëve shkodranë që ta votojnë atë si një njëri i përkushtuar për komunitetin.

Sipas tij, në këto “kohë të pazakonta” PD po i ofron Bashkisë së Shkodrës një personalitet qytetar, i cili vetëm ka dhënë pa kërkuar asgjë në këmbim.

Gjekmarkaj shprehet se çdo votë per Xhemal Bushatin është një votë për një jetë më cilësore në qytet e fshtatrat përreth.

Çfarë shkruan Gjekmarkaj:

Me Xhemal Bushatin kandidatin e PD-së për qytetin e Shkodrës!

Metropoli i veriut, qyteti simbol i virtyteve më të mira kombëtare e intelektuale, qyteti i rezistencës antikomuniste dhe i lirisë, qyteti i së djathtës, qyteti i harmonisë fetare i kësaj vlere themelore të kombit tonë, qyteti i shijeve dhe lidhjeve me botën perëndimore, gjen përfaqësimin më dinjitoz tek Xhemal Bushati, pinjolli i denjë i derës së fisme të Bushatlive! At Zef Pllumi një nga personalitet e mëdha të kulturës e klerit katolik për fatin tim të madh edhe kushëri i imi tek libri i tij mbreslënës ”Frati i Pashallarve Bushatli” shkruan “Tue kqyrë sot qytetin tonë, mbes i çuditun e më vjen me u thanë me të madhe: Shkodër, ku i ke burrat e tu? Ku i ke ato që dikur të banë të përmendun në të gjithë botën? Ku është Mehmet Pashë Plaku, themeluesi i vërtetë i famës së këtij qyteti? Ku është i biri Kara Mahmut Pashës, “Asllani i Shkodrës…unë këtu propozoj t’u naltohet nga një përmendore në kala, njani te Kalaja e Shkodrës e tjetri në Parrucë”! Vizionet e Fratit të kujtimeve ngjizen tek historia, tek rrënjët! Thirrja e tij revokon kujtimin e Bushatlive të dikurshëm. Si shumë herë historia e Shqipërisë dhe e Shkodrës ka trokitur në derën e Bushatlive të cilët shpesh kanë paguar çmim tragjik në emër të tyre. Në këto kohë të pazakonta Partia Demokratike i ofron Bashkisë së Shkodrës një personalitet qytetar, një qëndrestar i PD në çdo stinë, i cili vetëm ka dhënë pa kërkuar asgjë në këmbim, një profesionist ekonomist të zotin dhe të përkushtur për komunitetin! Xhemal Bushati është një biografi njerëzore mbreslënëse i cili me dashuri e pasion po i përkushtohet qytetit të Shkodrës për t’u shërbyer të gjithëve pa asnjë dallim partiak!

Të dashur miq shkodranë çdo votë për Xhemal Bushatin është një votë për një jetë më cilësore në qytet e fshatrat përreth, një votë për menaxhim të ndershëm e projekte zhvillimi, një votë për të respektuar historinë  e traditën por shumë më tepër të ardhmen, ndryshimin, atë që Zoja Shkodër e meriton si askush tjetër! Suksese i dashur mik Xhemal Bushati në rrugën e fisme që ke nisur! Shkodra nuk gabon!! Ndërgjegjia e saj është aleati yt!!

Agron Gjekmarkaj