Vendosni fjalën kyçe....

Krime pa ndëshkim


Kur ndodh një vrasje, duket se mes nesh ka një marrëveshje të heshtur. Mbi viktimën nuk hidhet baltë. Policia herë pas here, pas një krimi të tillë, duke dashur të tregojë indirekt motivin, apo edhe për të ulur rëndësinë e krimit, rendit precedentët e viktimës. E mes precedentëve që tregon, ndodh që njëri, ndonjëherë edhe të gjithë, por njëri më në veçanti, e bën edhe Policinë përgjegjëse për ngjarjen e ndodhur.

Përgjegjëse në kuptimin që kur di hasmëritë, konfliktet e problemet e një personi, apo një familje, nuk merr masa për ta parandaluar. Policia është ajo që ka kontaktin e parë me viktimën dhe autorët. Ka kontaktin e parë me vendngjarjen, me mbledhje e provave e me gjetjen e dëshmitarëve. Por nuk mbeten pa përgjegjësi, madje edhe më të madhe, institucionet e tjera ligjzbatuese, Prokuroria e Gjykata.

E përgjegjësia vijon të jetë e njëjtë dhe e shtrirë në të gjitha këto institucione, edhe për vrasjet që nuk zbardhen. Ato që mbeten pa autor.

Gjatë këtij viti, llogariten të kenë ndodhur 14 vrasje ku kanë mbetur të vrarë 17 persona. Dy prej tyre, që në fakt konsiderohen edhe më të rendat, vijojnë të mbeten pa autor. Vrasja e Mimoza Pajës, në sulmin me armë në lokalin e Fatjon Muratit, në “Don Bosko” dhe vrasja e punonjësit të sigurisë, Pal Kola, në sulmin me armë ndaj Top Channel.

Kur nuk gjendet autori i një vrasjeje, apo edhe kur lirohet, institucionet i pasojnë “fajin” njëra-tjetrës. Policia thotë: Ne e arrestuam vrasësin, por e liroi Gjykata. Prokuroria thotë: Policia solli një referim me mangësi. Gjykata thotë: Prokuroria nuk kishte prova të mjaftueshme. … Kjo vazhdon e përsëritet gjithmonë.

Por kjo histori vit pas viti mbush raftet e arkivave të Policisë me dosje vrasjesh pa autor. Dosje që ndojëherë shfletohen sa për t’u hequr pluhurin, me iniciativa drejtuesish të rinj që nisin punën me premtimin “do rihetoj ngjarjet e vjetra”. E megjithatë vitet kanë dëshmuar se shumë pak vrasje të vjetra zbardhen. Madje edhe disa të reja janë ende pa autor.

Krimi masiv i viteve ’97-’98 në vendin tonë ishte mjaft i ndërlikuar. Armatosja e shoqërisë e diktati i rrugës përballë ligjit prodhuan aq shumë krime, disa prej të cilave edhe sot vijojnë të jenë pa autor. Në vitin 1997, krimi i vrasjes arriti shifrën maksimale që ishte 50 për qind e kriminalitetit vjetor. Ndodhën 1542 vrasje. Një shifër e tillë nuk ishte regjistruar asnjëhere. Madje edhe vitet e mëparshme, nga 1992 deri në 1996 kishin prodhuar më pak, 1150 vrasje. Nga viti në vit kurba erdhi në ulje, duke shënuar numrin më të ulët në vitin 2022, 43 vrasje me 49 viktima. Të paktën këto janë statistikat zyrtare të Policisë, pa llogaritur persona të zhdukur, që edhe mund të jenë vrarë. Sipas analizave të publikuara nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit vit pas viti, në 30 vjet rezulton të kenë ndodhur 6158 vrasje.

Dosjet e shumë prej atyre vrasjeve që janë konsidruar si ngjarjet më të bujshme ndër vite, vijojnë edhe sot të flenë në zyrat e Policisë. Janë mbyllur si dosje ose më saktë, akoma kanë siglën “e pezulluar”. Por edhe pse ndër vite shteti ka qenë i pafuqishëm për t’i zbardhur, asnjëherë nuk është vonë.

26 Korrik 1996

Vritet Bujar Kaloshi, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve

Mëngjesin e 26 korrikut të vitit 1996, vritet në një pritë të organizuar, vëtëm pak metra larg shtëpisë së tij, tek ish-fusha e aviacionit në Tiranë, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Bujar Kaloshi. Pasi piu kafenë me prindërit, u përshendet me bashkëshorten dhe dy vajzat që po niseshin për në shkollë, ai hipi në makinën e tij dhe u nis. Makinën e drejtonte shoferi i tij. Pak metra me larg, tre vetë i kishin zënë pritë. Ata i bënë shenjë që të ndalonte dhe duke menduar se mos kishin nevojë për ndihmë, ai iu përgjigj thirrjes së tyre. E pikërisht në këtë moment autorët hapën zjarr duke e lënë të vdekur Bujar Kaloshin, në atë kohë 40 vjeç. Breshëria e kallashnikovit u dëgjua edhe nga familja e tij, pak metra më tej. Autorët nxituan për t’u larguar dhe hipën në një makinë që e kishin lënë të fshehur.

Për këtë ngjarje u akuzuan fillimisht anëtarët e organizatës “Hakmarrja për drejtësi”. Por më 13 shkurt të vitit 2017, Gjykata e Apelit shpalli të pafajshëm të gjithë anëtarët e kësaj organizate. Rrjedhimisht, vrasja e Bujar Kaloshit është e arkivuar me siglën “pa autor”.

10 Shkurt 1997

Vritet gjatë një revolte në Vlorë, Artur Rustemi

Mengjesin e 9 shkurtit të vitit 1997 Vlora gdhihet e mbushur nga forca të shumta policie që kishin ardhur nga Tirana, të vendosura kryesisht përgjatë bulevardit Vlorë-Skelë. Forcat e policisë shtuan edheë më shumë zemërimin e popullit që kishte nisur protestat. Revoltat nisën të përshkallëzonin si pasojë e shembjes së firmave piramidale. Atë mëngjes, Policia arrestoi të paktën 240 persona, që u burgosën në Tiranë. Kur qytetarët e Vlorës mësuan për këto arrestime, rreth orës 19:00 organizuan një revoltë përballë Komisariatit të Policisë që zgjati deri në orën 21:00. Në ato dy orë revoltë Policia u dorëzua. Por mëngjesin tjetër, më 10 shkurt, Vlora u gjend e rrethuar dhe në qytet nuk futej dot askush. Nga Skela deri në Pusin e Mezinit, qyteti ishte rrethuar me ushtarë. Rreth orës 07:30 nisi përleshja e popullit me forcat ushtarake. Gjatë kësaj kohë nisi edhe përdorimi i armëve për të shpërndarë protestuesit. Në mesin e protestuesve u qëllua 30-vjeçari Artur Rustemi. Ai u shndërruar në dëshmorin e parë të atij viti trazirash.

Varrimi i tij, ku morën pjesë rreth 40 mijë vetë ishte një protestë edhe më e fortë për atë që kishte ndodhur. Të pranishmit në ceremoni, që mbanin arkivolin në duar, vijonin të fajësonin Policinë për vrasjen e Artur Rustemit. Megjithatë, vrasja e 30-vjeçarit, edhe sot pas 26 vitesh, vijon të jetë pa autor.

21 Shtator 1998

Vritet Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes i Kosovës

Në orët e vona të mbrëmjes së 21 shtatorit t vitit 1998, ekzekutohet pranë shtëpisë së tij në Tiranë, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, koloneli Ahmet Krasniqi, 50 vjeç. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:15, në afërsi të Medresesë, para shtepoisë ku ai kishte nisur të jetonte pak kohë para se të vritej. Tre persona të maskuar, që edhe sot e kësaj dite kanë mbetur të paidentifikuar, kanë realizuar vrasjen e Krasniqit e më pas janë larguar nëpër errësirë. Policia e Tiranës, saqaronte në atë kohë se funksionari më i lartë i ushtrisë së Kosovës, ka qënë duke u kthyer në shtëpi pas një darke festive me miqtë e tij, kur është përballur me tre atentatorët që i kishin zënë pritë para portës. Ata e kanë qëlluar Krasniqin tri herë në kokë. E vetmja provë në duart e Sektorit të Antiterrorit dhe Prokurorisë së Tiranës që nisën menjëherë hetimet për ngjarjen, ishin tri gëzhojat e gjetura në vendngjarje.

Vëllai i tij, Behxhet Krasniqi, thotë se Gjykata Speciale do të merret edhe me vrasjen e Ahmet Krasniqit, duke qenë se e ka në juridiksion.  Përgjatë këtyre 25 viteve, ka pasur disa të dyshuar për vrasjen e tij, që e lidhnin atë kryesisht me kryesisht me faktin që drejtori Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës. Atentati ndaj tij, në Kosovë u konsiderua tradhëti, por se kush e tradhëtoi e kush e qëlloi për vdekje nuk u mësua asnjëherë. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, colonel Ahmet Krasniqi, i njohur si Ministër i Luftës, u shpall hero.

21 Shkurt 1999

Vritet Kleanthi Koçi, kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë

Një ngjarje e mjaft e rëndë tronditi Tiranën mbrëmjen e 21 shkurtit të vitit 1999. Një nga juristët më të njohur, kryetari i Dhomës së Avokatisë, Kleanthi Koçi, mbeti i plagosur rëndë pas një atentati që u organizua ndaj tij. Në sheshin Skënderbej, shumë pranë 15-katëshit, dikush i afrohet, i thotë diçka dhe e qëllon 3 herë me pistoletë në trup.

Mjekët dhanë shpresa për jetën dhe e nisën atë për kurim në Itali. Por pas disa minutash fluturim, Kleanthi Koçi ndërroi jetë nga një atak në zemër, më 28 shkurt. Para se të vdiste, kur policët i kishin treguar atij disa fotografi, përgjigjja e avokatit ka qenë: Do t’ua tregoj, kur të dal nga spitali.

Kjo ka çuar në idenë e ripyetjes të të gjithë njerëzve të afërm të tij, sidomos kolegëve që duhet të kishin dijeni për ndonjë problem në detyrën si avokat. Një tjetër element jo pak i rëndësishëm ishin edhe çështjet gjyqësore që kishte në shqyrtim Kleanthi Koçi. Sipas të dhënave, që nga momenti që ai doli si avokat, kishte marrë vetëm dy çështje penale. Njëra si avokat i Ramiz Alisë dhe tjetra si avokat i Leka Zogut për ngjarjen e 3 korrikut të vitit 1997, në Tiranë. Dy çështje që asnjëherë nuk i sollën ndonjë problem. Ajo që u hodh si pistë më vonë ishin çështjet civile, që Koçi kishte marrë në mbrojtje.

Vrasësi që mesa duket Kleanthi Koçi e kishte njohur dhe u tha Policëve se do ua tregonte kur të dilte nga spitali, nuk u arrit të identrifikohej kurrë.

13 Janar 2003

Vritet Salih Tivari, sekretari i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman

Me 13 janar të vitit 2003, rreth orës 08.30 të mëngjesit, u ekzekutua në zyrën e tij, sekretari i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman. Sali Tivari, 58 vjeç, banues në Durrës, u gjet i vrarë mbi tavolinën e tij të punës, në selinë që ndodhej shumë pranë qendrës së Tiranës. Në atë kohë Policia shoqëroi si dëshmitar të ngjarjes nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Ermir Gjinishi bashkë me bashkëshorten.

Ndërsa si të dyshuar, Policia pati në atë kohë një person nga Durrësi i lidhur jo pak në atë kohë me komunitetin Mysliman, Artan Kriston, i njohur edhe me emrin Muhamet Abdylla. Kristo për shumë kohë ka qenë nën shënjestrën e Policisë, si një ndër të dyshuarit kryesorë. Çdo levizje e tij brenda dhe jashtë vendit për shumë kohë ka qenë e kontrolluar, ose dhe e ndaluar hera-herës, si në rastet kur i bllokohej pasaporta, për shkak të dyshimeve që binin mbi të në lidhje me vrasjen e Tivarit. Dyshime që nuk u provuan kurrë.

Kirmi i ndodhur 20 vite më parë, është konsideruar si një ndër ngjarjet më të rënda dhe një goditje e fortë edhe në aspektin fetar. Me vrasjen e Salih Tivarit, u godit figura kryesore që menaxhonte të gjitha çështjet fetare dhe pronësore të Komunitetit Mysliman të asaj kohe. Ajo që e bënte edhe më të rëndë këtë ngjarje, ishte fakti se vrasja ndodhi brenda institucionit fetar, në tavolinën e punës së 58-vjeçarit Tivari.

Sekretari i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman ishte ndjerë i kërcënuar gjithnjë e më shumë në komunitet nga prania e të rinjve që kërkonin të sillnin frymën fondamentaliste. Tri vitet e fundit, para se të vritej, Tivari vizitonte shpesh zyrat e Shërbimit Informativ Kombëtar, madje në atë kohë ish-kryetari Fatos Klosi konfirmonte se e kishte pritur dhe kishte disktuar lidhur me problemet e tij. Shqetësimi i Tivarit lidhej me anëtarësimin në komunitet të të rinjë të stërvitur në shkolla ushtarake në Arabi, persona të cilët ai dyshonte se ishin më të prirur kundrejtë akteve terroriste.

Ngjarja u hetua nga Prokuroria në disa drejtime, ku në atë kohë si pistë kryesore u ngrit ajo e mosmarveshjeve për çështje pronësie të Komunitetit Mysliman. Por prokurori i Përgjithshëm i asaj kohe, Theodhori Sollaku, shprehej se nuk përjashtohej as pista hetimore për një vrasje me frymëzim fondamentalist.

Nisur nga dëshmitë e punonjësve të komunitetit të ndodhur në godinë në momentin e vrasjes, policia pati realizuar edhe një identikit të një shtetasi, i cili ishte parë në korridoret e selisë pas vrasjes. Në librin e shërbimit të rojës së selisë nuk është shënuar emri i ndonjë personi të huaj të ndodhur në godinë në mëngjesin e të hënës që u krye krimi. Por përshkrimet e dëshmitarëve janë konkretizuar në portretin e ekzekutorit të mundshëm. Ky identikit i një mashkulli në moshë të re u shpërnda në të gjitha komisariatet e vendit për të bërë shoqërimin e personave me karakteristika të ngjaashme Portreti kishte tipare të rregullta, sy dhe flokë në ngjyrë të errët, mjekër dhe ishte me trup mbi 1 e 70 metra. Megjithatë, bashkë me dosjen, edhe portreti i vrasësit misterioz, fle në sirtarët e Policisë së Tiranës.

9 Prill 2003

Vritet Florian Vila, biznesmen i hekurit në Tiranë

Biznesmeni 38-vjeçar, Florian Vila, vritet në derën e shtëpisë së tij mbrëmjen e 9 prillit të vitit 2003. Vila, që në atë kohë ishte në kulmin e biznesit të tij u gjend përballë breshërisë së plumbave, teksa ndaloi për të hapur portën e rezidencës “Flevi”. Kjo vrasje alarmoi Policinë e Tiranës, që për pak ditë realizoi një sërë operacionesh, por pa rezultat. Ndërkaq, familjarët e viktimës, në dëshmitë e tyre kërkonin vetëm që ngjarja të zbardhej sa më parë, duke mos pasur asnjë emër apo dyshim konkret.

Ora shënonte 21:20 natën e 9 prillit, kur biznesmeni, Florian Vila, po kthehej në kompleksin e tij rezidencial “Flevi”, në Laprakë, pranë zonës ku ndahet Rruga e Durrësit me segmentin që shkon në drejtim të Kamzës. Aty, si gjithmonë, e priste bashkëshortja me dy fëmijët. Autorët ishin dy persona që e qëlluan njëkohësisht me armë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Vila ishte një nga biznesmenët më të mëdhenj në vend për eksportin e skrapit dhe importin e hekurit.

Fillimisht pas ngjarjes u përhap versioni se dy atentatorët kanë qënë të veshur me uniforma policie, por ky variant është rrëzuar më pas gjatë hetimeve. Pista e parë e hetimeve ka qënë një konflikt i presidentit të firmës që merrej me tregti hekuri me familjarët e një puntori të aksidentuar gjatë punës. Por ky variant hetimi ka rënë në orët e para pas ngjarjes pasi vetë familjarët e të dy palëve janë shprehur se viktima Florian Vila ishte përgjigjur familjes së dëmtuar me një dëmshpërblim material.

Familjarët e Vilës shpreheshin se viktima nuk kishte marrë ndonjë kërcënim apo gjobë. Ai lëvizte vetë, i pa shqetësuar dhe pa mrbojtje nga truproja. Dosja e vrasjes së biznesmenit Florian Vila është hapur edhe dissa vite me parë, me pretendimin e gjetjes së disa provave të reja, por që nuk patën rezultat dhe gjithçka u kthye në pikën zero.

10 Gusht 2004

Vritet Emin Spahia, kreu i pajtimit të gjaqeve në Shkodër

Emin Spahija, kryetari i Lidhjes së Misionarëve të Paqes u ekzekutua mbrëmjen e 10 gushtit të vitit 2004 në Shkodër. Ai u qëllua përpara banesës së tij ku po kthehej i vetëm nga një dasmë. Pasi ka parkuar makinëne tij rreth 200 metër larg hyrjes së pallatit ku banonte, 39-vjeçari është drejtuar për në shtëpi. Në këtë moment është qëlluar me disa plumba pistolete pas shpine. Trupi i pajetë nuk është parë nga askush deri në mëngjes kur fqinjët e kanë gjetur të pa jetë. Ekspertët e Policisë thanë në atë kohë se ai ishte vrarë rreth orës 02:00 pas mesnate. U ngritën disa pista e disa të tjera u përjashtun. Ndërsa Policia than ë atë kohë se puna për pajtimin e gjaqeve në Shkodër ishte një nga pistat e mundshme, nga ku mund të zbulohej edhe motivi i vrasjes së kryetarit të Misionarëve të Paqes. Kjo organizatë funksionon prej vitesh në Shkodër duke pajtuar me qindra gjaqe dhe duke ndihmuar në lirimin nga ngujimi të shumë familjeve.

Kohë pas ngjarjes, Policia pati edhe një të dyshuar për vrasjen. Ai ishte Astrit Kurmenaj. Në gusht të vitit 2004 Policia e cilësonte Kurmemajn, në atë kohë në kërkim, si person të dyshuar për vrasjen e Emin Spahisë. Spahija rezultonte se kishte ndërhyrë mes dy familjeve Kurmemaj dhe Muça për t’u pajtuar pas vrasjes së Genc Muçës. Me gjithë variantin e Policisë, nuk u gjetën prova dhe familja e viktimës Spahia pohoi se nuk kishte asnjë dyshim mbi Kurmemajn.

Astrit Kurmemaj u vra pranë shtëpisë së tij në një rrugicë të lagjes “Kiras”, në Shkodër më 14 mars të vitit 2011, kur kishte dalë me leje nga burgu dhe po kthehej në institucionin e vuajtjes së dënimit.

Ndërsa vrasja e Emin Spahisë, kryer para shtëpisë së tij në Shkodër, vijon edhe sot të mbetet mister.

3 Maj 2009

Vritet Fatmir Xhindi, deputet i Partisë Socialiste

Deputeti socialist i Kuvendit të Shqipërisë, Fatmir Xhindi ekzekutohet mbrëmjen e 3 majoit të vitit 2009, pak metra larg shtëpisë së tij në Roskovec.

Kanë kaluar 14 vjet nga ajo ngjarje, janë ndërruar qeveri, ministra të brendshëm, prokurorë të përgjithshëm, madje edhe gjithë sistemi i drejtësisë, por ende nuk ka një autor të asaj ngjarje. Deri më tani ka vetëm spekulime dhe deklarata politike dhe asgjë konkrete.

Mbrëmjen e ngjarjes, deputeti socialist ka qenë duke u udhëtuar drejt banesës së tij në Roskovec, me një fuoristradë të zezë. Ai kishte qenë duke punuar tokën në fshatin Kurjan e bashkë me të kishte qenë edhe djali i tij i vogël. Por atë natë i biri këmbënguli të qëndronte në fshat tek gjyshi dhe Xhindi u kthye i vetëm.

Rreth 30 metra larg banesës së tij në Roskovec, në një rrugicë të mbuluar nga bari i lartë është afruar një person që nuk u identifikua kurrë. Ai ka qëndruar aty i fshehur duke pritur që Fatmir Xhindi të shfaqej para tij. Vrasësi kishte zgjedhur vendin perfekt edhe për të pasur fushëpamje edhe për t’u larguar.

Ishte errësuar kur fuoristrada e zezë me të cilën po udhëtonte Xhindi mbërriti dhe iu drejtua oborrit të shtëpisë. Ishte ora rreth 20:45 e mbrëmjes. Ai zbriti nga makina, dhe hapi bagazhit për të nxjerrë rrobat, që kishte veshur kur punonte në fshat. Nga rruga përballë tij nisën të shtënat e kallashnikovit drejt deputetit. Fatmir Xhindi u godit pas shpine me 6 plumba. Sikur të mos mjaftonin goditjet në distancë, autori është afruar dhe e ka qëlluar edhe në kokë nga afër.

Vrasësi u largua nga e njëjta rrugë që kishte ardhur në këmbë. Më pas del në unazën e qytetit të Roskovecit dhe ecën sërish në këmbvë derisa humb gjurmët. Një bashkëpunëtor mendohet se e priste me makinë për t’u larguar në drejtim të paditur dhe për të mos u gjetur as sot e kësaj dite.

9 Shtator 2011

Vritet Skerdilajd Konomi, gjyqtar në Gjykatën e Vlorës

Magjistrati i çështjeve civile në Gjykatën e Vlorës, Skerdilajd Konomi, humbi jetën pasi një shpërthim që ndodhi në makinën e tij më 9 shtator 2011, teksa gjyqtari shkonte në punë. Atë mëngjes, gjyqtari i ri ishte me mjaft nxitim për në punë. E priste një ditë e ngarkuar me shumë gjyqe. Teksa po hipte në makinën e tij, vuri re që i kishte rënë goma dhe duke qenë se nxitonte hipi në makinën tjetër. Një makinë tip “Benz”, model i vjetër, që krytesisht e përdorte bashkëshortja. Por duket se e gjithë kjo ishte një kurth për të. Eksplozivi ishte vendosur pikërisht në makinën ku ai hipi dhe jo në atë me gomë të rënë.

Konomi udhëtoi vetëm pak metra dhe makina shpërtheu në ecje. Ai mbeti i vdekur, ndërsa pistat kryesore të hetimit ishin vrasja për detyrën dhe konfliktet e pronësisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda rihapi hetimet në vitin 2013, pasi ishte vlerësuar e nevojshme rihapja e dosjes me anë të rivlerësimit të provave që ndodhen në fashikull. Ekzekutimi me eksploziv në makinë, i gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, edhe pse u hetua për një kohë të gjatë, mbeti pa autor. Prokuroria e Krimeve të Rënda pezulloi kryerjen e veprimeve hetimore, pasi u vlerësua se nuk kishte prova të mjaftueshme për identifikimin e autorit të krimit.

24 Tetor 2011

Vritet Isa Çopa, oficer i Shërbimit Informativ Shtetëror në Durrës

Isa Çopa, oficer i Shërbimit Informativ Shtetëror në Durrës u gjet i djegur, pasi ishte vrarë, brenda makinës së tij “Opel Korsa”, mbrëmjen e 24 tetorit të vitit 2011. Në pamundësi të mbledhjes së provave të reja, dosja u arkivua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Para kalimit të dosjes në Tiranë, u zhvillua një mbledhje midis titullarëve të prokurorisë së Durrësit, prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe dy hetuesve të çështjes. Në konkluzionet e hetuesve të Durrësit përcaktohej se vrasja mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës, duke parë të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe skenën e krimit.

Përfaqësuesit e akuzës pretendonin në atë kohë se hetimi ka qenë i plotë dhe dyshimet e ngritura ishin paraqitur me prova shkencore, por pranonin se kishin hasur shumë vështirësi. Kjo për faktin se dosjet e SHISH-it, duke u konsideruar sekrete nuk u ishin vënë në dispozicion prokurorëve. Në atë kohë, hetuesit kërkuan që të evidentoheshin të gjitha armët e llojit pistoletë “Makarov”, për të parë mundësinë e një krahasimi me gëzhojën e gjetur brenda në automjetin ku u gjet i vrarë Isa Çopa. Kërkesa e hetuesve të Durrësit ishte për të verifikuar të gjitha armët e këtij lloji që kanë me leje punonjësit e agjencive ligjzbatuese në vend, përfshirë SHISH, Polici, Prokurori etj.

Ngjarja që fillimisht u tentua të mos raportohej si vrasje me armë zjarri, duke ia lënë përgjegjësinë zjarrit në makinë, edhe sot pas 12 vitesh vijon të jetë e mbuluar me mister.

26 Qershor 2014

Vritet Artan Santo, biznesmen, drejtor i bankës “Credins”

Një krim i rëndë ndodhi mëngjesin e 26 qershorit të vitit 2014 në Tiranë. Artan Santo, drejtori i Bankës “Credins” dhe aksioner në dy televizione u qëllua me plumb në kokë. Dy autorët arritën të shmangin Policinë. Ende pa hedhur dy hapa drejt bankës që ai vetë themeloi, 58-vjeçari ka rënë pre e një atentati të mirorganizuar ndaj tij. Dy persona me motor dhe me skafandra në kokë qëlluan me pistoletë biznesmenin e njohur. Sipërmarrësi 58-vjeçar, i njohur në fushën e bankave, u qëllua me tre plumba duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Ngjarja ndodhi rreth orës 09:15 në kryqëzimin e zonës së ish-Bllokut në Tiranë, ku ndodhen zyrat qendrore të Bankës Credins e drejtuar deri atë ditë nga Artan Santo. Atë mëngjes ai kishte dalë nga shtëpia e tij në një godinë banimi pas Televizionit Publik Shqiptar rreth orës 08:50, ku e prisnin dhe atentatorët. Ata e kanë ndjekur gjatë gjithë rrugëz dhe kanë zgjedhur ta kryejnë vrasjen pikërisht aty, para bankës në ish-Bllok.

Dëshmitarë të ndryshëm, por edhe pamje të kamerave të sigurisë, tregonin se rreth 20 minuta para se biznesmeni Artan Santo të dilte nga banesa e tij, itinerari që ai përshkonte thuajse çdo ditë është “patrulluar” nga motori i vrasësve. Bëhet fjalë për një motor të madh sportiv të markës “Suzuki V Strom”. Ky motor ka qarkulluar së paku dy herë pranë TVSH-së në afërsi të banesës së biznesmenit, duke kontrolluar nëse Artan Santo kishte dalë nga banesa.

Artan Santo ishte ulur në vendin e pasagjerit në sediljen e përparme të makinës. Pasi automjeti ka mbërritur në kryqëzim, para bankës, biznesmeni ka hapur derën dhe ka zbritur nga makina. Ndërkohë motori i vrasësve kishte ndaluar në kryqëzim. Në momentin kur Santo është drejtuar për të hipur në trotuar, njëri nga personat në motor ka qëlluar në drejtim të tij. Ai ka bërë përpjekje të ecte drejt bankës, por është goditur mes shpatullave nga plumbi i parë duke u rrëzuar pak metra larg derës kryesore të bankës. Më pas autorët janë afruar te biznesmeni i rënë përtokë dhe është qëlluar edhe dy herë të tjera në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Ngjarja e rëndë që ndodhi rreth 300 metra larg Kryeministrisë, më pak se 400 metra larg Presidencës, në një nga zonat më të populluara të Tiranës, ku janë të përqendruara selitë e institucioneve e bizneseve më të rëndësishme në vend, edhe sot vijon të jetë e pa zbardhur.

22 Mars 2019

Vritet Ravik Gurra, avoka i Çapjave e Emiljano Shullazit

Mbrëmjen e 22 marsit të vitit 2019, ekzekutohet me plumb në kokë Ravik Gurra, avokati i Emiljano Shullazit dhe mik e përfaqësues ligjor në disa raste edhe i familjes Çapja. Avokati është qëlluar me një pistoletë me silenciator nga një person i maskuar, i cili më pas është larguar me një automjet tip “Benz”.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:35, në një lokal në qendër të Elbasanit. Ravik Gurra, 50 vjeç, ishte ulur në verandën e një lokali mjaft të frekuentuar bashkë me dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve avokat, kur është qëlluar për vdekje. Autori dyshohet se i është afruar pa u diktuar nga askush dhe e ka qëlluar dy herë në kokë.

Avokati Ravik Gurra para disa vitesh kishte marrë pasaportë angleze dhe bënte një jetë mes Shqipërisë dhe Anglisë ku jetonte edhe familjen e tij. Për grupin hetimor, porva kryesore ishin dosjet e çështjevce që ai kishte mbrojtur, të cilat i lexoi e i rilexoi por nuk gjeti asgjë. Vrasësi as sot nuk dihet.

1 Nëntor 2021

Vritet në Laç Xhelal Reçi, ish-efektiv Policie

Xhelal Reçi, dikur punonjës policie, që kishte disa biznese në Laç dhe konsiderohej si person pa problem, u ekzekutua më 1 nëntor të vitit 2021, teksa po futej në një prej bizneseve të tij.  Një kamera sigurie ka fiksuar momentin e vrasjes së tij. Në video shfaqet Xhelal Reçi, i cili futet në një prej bizneseve në qytetin e Laçit. Pak çaste me pas, një makinë “Toyota” ndalet para hyrjes se biznesit ku ai ishte futur.  Dy persona të armatosur me automatikë zbresin nga mjeti dhe hapin zjarr në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur në vend.

Pas ngjarjes autorët largohen me shpejtësi. Makina e tyre gjendet e djegur pak kohë pas ngjarjes në Milot.

Pas vrasjes së tij, Policia i përqendroi hetimet në konfliktet e djalit të tij, Besnikut, i cili i shpëtoi një atentati në gusht të vitit 2020. Në atë kohë, autorët iu afruan makinës së Besnik Reçit me një motor dhe hapën zjarr edhe pse ai shoqërohej nga bashkëshortja dhe fëmijët. Reçi mundi të shpëtojë për shkak të manovrimit të shpejtë. Që nga ajo kohë nuk ka asnjë autor të identifikuar të kësaj ngjarjeje e po ashtu as për vrasjen e Xhelal Reçit.

17 Korrik 2022

Vritet në atentat nipi i Ervis Martinajt e dy miqtë e tij

Mesditën e 17 korrikut të vitit 2022, një atentat i frikshëm i ndodhur në mbikalimin e Fushë-Krujës, tronditi vendin. Tre të rinj, u qëlluan brenda një makinë, të cilës më pas iu vu flaka. Asnjëri nuk arriti të mbijetojë. Një prej vitkimave ishte Brilant Martinaj, djali i xhaxhait të Ervis Martinajt, por që për të gjithë njihej si nipi i tij.   

Grupi hetimor mblodhi në atë kohë prova të shumta në vendngjarje, dy aparate celularë pjesërisht të djegur dhe më shumë se 60 orë filmime të kamerave të sigurisë. Nga rindërtimi i skenës së krimit, u konkludua se autorë mund të kenë qenë katër persona të përgatitur për ngjarje të tilla dhe që e njihnin mirë zonën.

Tre prej tyre kanë hapur zjarr me breshëri sapo mjeti “Passat” me të cilin udhëtonin viktimat u fut në mbikalim. Vendi ishte zgjedhur me kujdes, që Martinaj, Hoxha dhe Vata të mos kishin asnjë mundësi shpëtimi. Edhe pse u pyetën në lidhje me këtë ngjarje, si persona që mund të kishin dijeni, Prokuroria nuk mundi të provonte asgjë dhe të gjithë u lanë të lirë. Atëherë kur pritej një kundërsulm, që do të merrte hak për vrasjen e Brilant Martinajt, pa u bërë një muaj nga ngjarja, Ervis Martinaj denoncohet i zhdukur.

E në këtë kohë, del në skenë emri i Fatjon Muratit, i cili bashkë me familjen ishte objektiv i një atentati më 12 mars të këtij viti, ku mbeti e vrarë banakierja Mimoza Paja në Tiranë.  Prokuroria e Krujës kërkoi në atë kohë marrjen në pyetje të disa personave në lidhje me atentatin me tre të vrarë.

Mes emrave që kërkonte organi i akuzës për t’u pyetur ishin, Fatjon Murati, Gentjan Reçi, nipi i ish-policit të vrarë Xhelal Reçi, të cilët kanë lidhje krushqie me Endrit Doklen, por edhe vetë Dokle. Megjithatë, edhe kjo vrasje, si shumë të tjera, vijon të jetë pa autor.

Asnjëri nga ne nuk mund të peshojë fajin e askujt. Aq më pak të viktimës. Asgjë nuk e justifikon një vrasje. Për aq kohë sa nuk justifikohet një vrasje, nuk mund të justifikohet as paaftësia e organeve ligjzbatuese. Paaftësia, në rastin më të mire, por në rastin më të keq mungesa e vullnetit dhe e profesionalizmit për të zbardhur një krim a për të parandaluar një krim tjetër. Mungesa e vullnetit shpesh ka të bëjë me mbylljen e njërit sy. Arsyet përgjithësisht janë të qarta.

Ndërsa pasojat e kësaj verbërie të qëllimshme po i shohim dita ditës. Ashtu sikurse të gjithë biem darkord që është më mirë një fajtor i lirë sesa një i pafajshëm në burg, po ashtu duhet të biem darkord të gjithë që është më mirë një drejtësi e vonuar sesa një drejtësi e munguar. Drejtësia e vonuar do vijojë të shkaktojë viktima, por që në një moment, sado të vonë, do ketë persona që do mbajnë përgjegjësi për atë krim dhe do të shkojnë në burg. Ndërsa kur drejtësia do vazhdojë të mungojë, fatkeqësisht të gjithë jemi dëshmitarë të asaj që shpesh ka ndodhur në këtë vend. Vetëgjyqësisë…

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Abc News nga Etleva Delia