Vendosni fjalën kyçe....

Spaho provokon pastaj e kallëzon në prokurori kryebashkiakun e Maliqit Gëzim Topçiu


Deputeti i PD-së, Edmond Spaho ka provokuar e më pas ka kallëzuar sot në prokurori, kryebashkiakun e Maliqit, Gëzim Topçiu.

Nga pamjet video të bëra publike, Spaho duket tek afrohet në takimin e kryebashkiakut socialist të Maliqit Gëzim Topçiu me fermerë të zonës e më pas e provokon duke e akuzuar si mashtrues dhe se po e bënte veprimtarinë për të përfituar vota.

Ai e akuzon atë për përfshirje në aktivitet të paligjshëm elektoral pasi u ka premtuar fermerëve regjistrimin e traktorëve në këmbim të votës.

Kallëzimi vjen pas  një përplasje mes Spahos nga njëra anë e kryebashkiakut socialist Topçiu e deputetit scocialist Pendavinji nga ana tjetër, në fshatin Vreshtas të Maliqit.

“Rrugës për në Vreshtas takova një traktorist të cilin nuk e njihja se kush ishte dhe si e kishte emrin dhe e pyeta përse iu kanë mbledhur. Ai m’u përgjigj se na kanë njoftuar nga pushteti vendor që të vijmë megjithë traktorët në Vreshtas se do bëhet regjistrimi i tyre dhe pajisja me targa i traktorëve tanë. Unë e pyeta se si do t’ua bëjnë me lek apo falas dhe kush do t’ua bëjë. Ai m’u përgjigj nuk e di se si do të bëhet me lek apo pa lek. Më pas e kam pyetur përsëri nëse kjo gjë kishte lidhje me zgjedhjet e të dielës? Ai m’u përgjigj ‘sigurisht që kjo për këtë punë bëhet.” – thuhet në kallëzimin e Spahos.

 

Më tej Spaho pohon se mbështetës të kryebashkiakut socialist Topçiu i kanë goditur dorën e djathtë me të cilën po filmonte me telefon Topçiun e Pendavinjin.

“Te fusha kam hasur në një reagim fyes dhe ofendues nga personat të cilët shoqëronin kryetarine bashkisë, Topçiu, të cilët mesa kuptova ishin funksionarë të ndryshëm, përfshirë edhe deputetin Ilir Pendavinji. Në këto kushte e kam quajtur hajdut votash dhe mashtrues. Në këtë kohë disa nga mbështetësit e tij më kanë goditur me dorën e djathtë dhe më kanë rrëzuar telefonin me të cilin po filmoja. Pavarësisht kësaj jam ulur në tokë dhe kam marrë përsëri telefonin dhe kam vazhduar të filmoj.” – ka deklaruar Spaho.